English

Ligji antiduhan, Tritan Shehu: Dështimi, faj i vendorëve

Tiranë, 31 maj, NOA - Kryetari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësinë, Tritan Shehu, fajëson pushtetin vendor se nuk po bashkëpunon me strukturat e shëndetësisë për zbatimin e ligjit antiduhan në vendin tonë.

Në ditën botërore të luftës kundër duhanit, deputeti i mazhorancës thotë se dështimi i zbatimit të këtij ligji tek ne, ka si shkak kryesor tre elementë; mungesën e strukturave për vjeljen e gjobave, mungesën e bashkëpunimit institucional dhe fushatat e ndërgjegjësimit të cilat sipas tij nuk kanë dhënë qartë mesazhin.

Por, ndërsa për vjeljen e gjobave, ekziston tashmë ligji që penalizon subjektet që lejojnë duhanpirjen, problemi që nuk po gjen zgjidhje është angazhimi i bashkive në zbatimin e ligjit.

“Para pak ditësh, parlamenti kaloi ligjin i cili do të obligojë bizneset të paguajnë gjobat në rast të shkeljes së ligjit antiduhan. Por duhet që pushteti vendor përmes policisë bashkiake të bëjë detyrën e saj duke kontrolluar zbatimin e ligjit në ambientet publike, gjë të cilën se ka bërë deri tani”, tha Shehu.

Sipas Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, aktualisht në Shqipëri puna më e mirë është bërë për parandalimin siç janë heqja e reklamave për pirjen e duhanit, vendosja e mbishkrimit që ndalon pirjen e duhanit, por vëmendja tashmë duhet drejtuar në kontrollin dhe zbatimin e ligjit në ambientet publike.

b.a/NOA

KOMENTE