Mungojnë Dy Gjyqtarë, Shtyhet Seanca Për Çështjen "Gërdeci"
TIRANË, 31 Maj/ATSH/.- Gjykata e Tiranës shtyu sot për të premten seancën e radhës për çështjen "Gërdeci" me 29 të pandehur, në pjesën më të madhe ish-drejtues të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura.
Shkak për këtë eshtë bërë mungesa për arsye familjare e dy prej tre anëtarëve të trupit gjykues, konkretisht gjyqtares Shefkie Demiraj dhe Fatmira Hajdari.
Aktualisht, ky proces, është fokusuar në pyetjen e dëshmitarëve të shumtë të prokurorisë, që janë mbi 300 të tillë, shumica ish- punëtorë të fabrikës së demontimit të municioneve luftarake në Gërdec si dhe ushtarakë.
Përgjithësisht, ish- punëtorët e fabrikës së paraqitur në Gjykatë, kanë dëshmuar si për ngjarjen e rëndë dhe për kushtet e sigurisë në punë në fabrikë.
Të pandehurit e këtij procesi, akzuohen si përgjegjës për ngjarjen e ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, kur, si pasojë e një shpërthimi të ndodhur humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur.
Çështja "Gërdeci" është hetuar për muaj me radhë nga Prokuroria e Përgjithëshme, e cila e ka cilësuar atë si një nga sfidat e drejtësisë shqiptare./a.m/s.s./