Nota Pozitive Për Progresin E Shqipërise Në Fushën E Transporteve
-Vlerësimi erdhi nga Komisioneri i BE-së për Transportin, Sim Kallas, në Forumin Ndërkombëtar të Transporteve, të mbajtur në Gjermani -
TIRANE, 31 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Komisioneri i Bashkimit Europian për Transportin, Sim Kallas, vlerësoi me nota pozitive progresin e Shqipërisë në fushën e transportit.
Burime zyrtare të MPPT-së bënë të ditur sot se këto vlerësime z.Kallas i bëri gjatë takimit që zhvilloi me ministrin e MPPT-së, Sokol Olldashi, i cili mori pjesë për dy ditë në Forumin Ndërkombëtar të Transportit në Lajpcig, të Gjermanisë.
Sipas këtyre burimeve mësohet se gjatë takimit, ministri Olldashi kërkoi mbështjen e z. Kallas për ngritjen e selisë së Traktatit të Komunitetit të Transportit për Europën Juglindore, në Tiranë.
"Një pikë e rëndësishme e bisedimeve ishte dhe kërkesa që marrëveshja për njohjen e lejeve të drejtimit të automjeteve me Italinë, të shtrihej në nivel komunitar, me qëllim eliminimin e bisedimeve bilaterale me secilin shtet për këtë çështje", thanë burimet zyrtare, duke shtuar se "komisioneri Kallas u angazhua që të shqyrtonte hapësirat ligjore që ky proces të realizohet".
Gjithashtu komisioneri i Bashkimit Europian për Transportin vlerësoi politikën e ndjekur nga qeveria shqiptare në qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, që, siç u shpreh ai, "është një nga komponentët kryesorë në procesin e integrimit dhe zhvillimit të ekonomisë së Shqipërisë".
Në të njëjtën kohë z.Kallas vlerësoi pozitiv edhe rolin e Shqipërisë në rajon.
Forumi Ndërkombëtar i Transportit është një aktivitet i përvitshëm. Tema e trajtuar këtë vit ishte inovacioni dhe gjetja e burimeve alternative të transportit, në kushtet e zvogëlimit të resurseve natyrore. Ndër alternativat e reja të paraqitura gjatë punimeve dyditore të Forumit ishin edhe avionët më panele diellore, theksuan burimet./s.s./