English

Partitë në Maqedoni, kritika ndaj qëndrimeve të Gruevskit

Shkup, 31 Maj, NOA - Partitë politike kanë drejtuar akuza të ashpra në adresë të kryeministrit Nikolla Gruevski, lidhur me deklarimet e tij se do të përballojë çdo kërcënim për të mos ndryshuar kontestin e emrit.

Në BDI, kanë theksuar se kryeministri Gruevski me deklaratat e tij ka treguar patriotizmin e rrejshëm.

“Dy milion qytetarë i kanë dhënë sovranitetin politikanëve dhe pushteti në këtë moment historik të sjellë vendime historike. Patriotët dhe burrështetasit e vërtetë në këtë moment historik duhet të tregohen. BDI është e gatshme që në këto momente historike të marrë përgjegjësinë e saj”, ka theksuar deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Andrej Petrov nga LSDM-ja ka theksuar se Gruevski me deklarimet e fundit në vend që të zgjidh problemet, ai ka sqaruar se pse nuk do t’i zgjidhë problemet.

“Dhe normalisht, atij i kanë faj Brukseli dhe Uashingtoni si dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare, organizatat joqeveritare dhe mediat dhe kuptohet edhe LSDM dhe Branko Cërvenkovski”, ka theksuar deputeti Petrov.

Deputeti i DR-së, Sulejman Rushiti ka theksuar politika populiste e Gruevskit nuk është në përputhje me prioritetet e qytetarëve.

“Për prioritetet tona duhet të debatohet dhe të ketë sqarime”, ka theksuar deputeti Rushiti.

Kryeministri Gruevski deklaroi në fjalimin e tij në shënimin e përvjetorit të rinisë së VMRO-DPMNE-së se Maqedonia dëshiron hyrje në NATO dhe BE, por jo me çdo çmim.

NOA-INA

KOMENTE