English

Përmbledhje - Japoni - Socialistët Dalin Nga Koalicioni Qeverisës

TOKIO, 31 maj /ATSH-AFP/ - Partia Socialdemokrate, (PSD) njoftoi të dielën largimin nga koalicioni në pushtet për shkak të mbjatjes së polemizuar të një baze amerikane në ishullin Okinava, në jug, duke bërë presion mbi kryeministrin japonez Yukio Hatoyama përpara zgjedhjeve të korrikut. "Vendosëm daljen nga qeveria gjatë një mbledhjeje të kryesisë së partisë", deklaroi kryetarja e PSD-së, Mizuho Fukushima. "Të gjithë më thanë se është mirë t'u qëndroj bindjeve të mia", shtoi ajo në një konferencë shtypi të transmetuar në televizionin japonez. Kryeministri Yukio Hatoyama vendosi të premten të përjashtojë nga qeveria e tij e koalicionit Mizuho Fukushima, e cila ishte kundër marrëveshjes së arritur me Shtetet e Bashkuara lidhur me transferimin e bazës ushtarake të Okinavës. Sekretarja e Shtetit për Konsumin dhe kryetarja e PSD-së ka përsëritur se nuk pranon mbajtjen e bazës në këtë ishull. Fukushima dhe partia e tij ishin përkrahësit më të flaktë të idesë së një transferimi të bazës jashtë Okinavës, ku ndodhen tashmë tre të katërtat e bazave dhe pothuaj gjysma e rreth 47 000 ushtarëve amerikanë të ngarkuar me mbrojtjen e arkipelagut. Gjatë fushatës së zgjedhjeve legjislative të verës së kaluar, Hatoyama ka premtuar "të lehtësojë peshën" e banorëve të ishullit të cilët ankohen për zhurmë, rreziqe për aksidente dhe kriminalitet të shkaktuar nga prania e amerikanëve. Por, pas disa muaj luhatjesh, kryeministri u detyrua të pranojë se nuk ka gjetur zgjidhje tjetër nga ajo e rindërtimit të Futenmas, aktualisht në mes të qytetit, në një gji të mbrojtur mirë të ishullit, në kundërshtim me mendimin e banorëve vendës. Vendimi i PSD-së u mor të dielën gjatë një mbledhjeje të sekretarëve të përgjithshëm të partisë të ardhur nga i gjithë vendi. "Do të largohemi nga koalicioni, por do të shfrytëzojmë marrëdhëniet me parti të tjera në të dy Dhomat e parlamentit", deklaroi në një konferencë shtypi sekretari i përgjithshëm i PSD-së, Yasumasa Shigeno, i cituar nga agjencia Xhixhi Press. Kështu, koalicioni i qendrës së majtë u shpërbë. Ai ishte formuar nga Partia Demokrate e Japonisë, PDJ me PSD-në dhe një parti të vogël nacionaliste, Partia e Re e popullit, NPP. Qeveria u formua menjëherë pas fitores bindëse të PDJ-së në zgjedhjet legjislative të gushtit të vitit 2009. Popullariteti i Hatoyamas pësoi një rënie rekord në sondazhe, duke arritur në vetëm rreth 20 për qind të opinioneve pozitive. /I.Pu.
KOMENTE