English

Portret/ Sarande: Nga Ish-Emigrant, Ne Tregtar Me Simbolet Kombëtare

SARANDË, 31 Maj/ATSH-Telnis Skuqi/ - Klement Uzeiri, një ish-emigrant nga fshati Shalës i Sarandës vendosi t'a kërkojë suksesin në vendlindje, duke shitur simbolet kombëtare, ndërsa Greqia është përfshirë nga kriza ekonomike. "Punova suvaxhi 10 vjet në Athinë. U ktheva në atdhe 4 muaj më parë dhe brenda 24 orëve hapa një biznes", tregon Klement Uzeiri, 35 vjeç, që mendon se Greqia nuk ka çfarë të japë më, sepse, siç thotë "nuk ka lekë". "Një grek ka tre shtëpi, një në det, një në fshat dhe një në qytet, ndërsa unë që punova 10 vjet nga mëngjesi në darkë, kam vetëm një shtëpi njëkatëshe", shprehet Uzeiri, babai i një djali të vogël. Ai thotë se ka zgjedhur shëtitoren kryesore të Sarandës për të tregtuar simbolet kombëtare për vizitorët vendas dhe të huaj. "Pesë ditët e para të javës, nga e hëna në të premte, tregtia nuk para më ecën, por në fundjavë diçka përmirësohet", shpjegon Uzeiri, sipas të cilit, shtuna dhe e diela janë ditët më të zhurmshme dhe më fitimprurëse. "Jam gati të qëndroj 48 orë në tezgë pa lëvizur, pasi krahas dyndjes së gjimnazistëve, vijnë shumë turistë të huaj që tregojnë interes për këtë lloj tregëtie", siguron Uzeiri. Uzeri thekson se çmimet e simboleve kombëtare ndahen në dy grupe, të shtrenjta dhe të ulta. Turistët e huaj, thotë ai, preferojnë të blejnë skuplturat me portretet e Skëndërbeut, Nënë Terezës, Teutën, Dea-n apo Sahatin e Tiranës, që kushtojnë 30 euro, ndërsa gjimnazistët preferojnë të blejnë mbajtësa çelësash apo byzylukë që shoqërohen me flamur kombëtar, që kushtojnë vetëm 1000 lekë të vjetra. "Ndihem krenar që fitoj, duke shpërndarë nëpër botë simbolet patriotike dhe këtë punë do të vazhdoj edhe më tej", siguron Uzeiri. Ai sqaron se në bulevardin kryesor të Sarandës ka konkurrencë të fortë, por të gjithë respektojnë "fair play". "Saranda të jep mundësi të fitosh, sidomos gjatë sezonin të verës", thotë Uzeiri. Edhe pse ka pak muaj që është kthyer në atdhe, ish-emigranti thotë se fitimet do t'i kthejë në investim, duke zgjeruar aktivitetin e tij. "Të tregtosh nga tezga është biznes i vështirë, por besoj se brenda dy-tre vjetësh do të blej një dyqan të vogël, buzë detit", mendon Uzeiri. Uzeiri thekson se Saranda ka të paktën mbi 20 objekte monumentale, por asnjëra prej tyre nuk është kthyer në art të aplikuar si një ofertë për turistët. "Një vizitor i huaj që viziton Sarandën nuk dëshiron të largohet pa blerë një antikuar, por një vepër e tillë nuk ekziston", përfundon Uzeiri./ch/
KOMENTE