Prifti: Serbia Mund Te Furnizojë Me Gaz Shqipërinë
TIRANË, 31 Maj/ATSH-E.Xhajanka/.- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij serb, Petar Skundric, deklaroi se "Serbia mund të furnizojë në të ardhmen me gaz tregun shqiptar, por edhe me energji elektrike në rast emergjence, kur dihet se kompanitë serbe eksportojnë energji në rajon".
Kreu i ekonomisë shqiptare, duke u ndalur në takimin e zhvilluar sot në Tiranë me biznesin serb, të kryesuar nga ministri për Minierat dhe Energjinë të Republikës së Serbisë, Skundric, tha se "takimi ishte shumë i frytshëm dhe temë e diskutimit ishin raportet ekonomike mes dy vendeve dhe mundësitë për të rritur bashkëpunimin në fushën e energjetikës dhe minierave".
"Me homologun Skundriç ndamë të njëjtin mendim mbi krijimin e hapësirave për investime të biznesit serb në vendin tonë", tha ministri Prifti.
Sipas tij, "biznesi dhe kompanitë serbe janë të ftuara nga pala shqiptare për të shfrytëzuar hapësirat portuale dhe infrastrukturën tonë për të furnizuar tregun e vendit të tyre me mallra".
"Me z.Skundriç kemi diskutuar mënyrat e bashkëpunimit në fushën e energjetikës dhe të minierave në përgjithësi", tha në fjalën e tij ministri Prifti, duke informuar edhe për vizitën e tij të ardhshme në Beograd, ku pritet të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve./s.s./