Elbasan, 31 Maj, NOA – Dispononin kartëmonedha euro false dhe i vinin në qarkullim duke blerë mallra të ndryshme dhe karburant rrugëve.
Fjala është për një grup prej 4 personash që tashmë janë vënë në prangat e policisë, me emrat përkatës Pleurat Mustafai, 26 vjeç, banues në Kavajë; Tahir Belba, 22 vjeç, edhe ky banues në Kavajë; Elvis Shaholli, 26 vjeç dhe Elton Kola, 28 vjeç; që të dy banues në Elbasan.
Arrestimi i tyre u bë pasi këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vënë në qarkullim në qytetin e Cërrikut 100 euro të dyshuara si të falsifikuara, ku me to kanë blerë karburant në hyrje të tij.
Më pas, në qytetin e Belshit ata kanë vënë në qarkullim 100 euro të dyshuara duke blerë mallra të ndryshme, gjë që e kanë bërë edhe në fshatin Shirgjan të Elbasanit, në një dyqan shumice.
Nga ana e policisë u sekuestruan me cilësinë e provës materiale 300 euro të dyshuara të falsifikuara, 10.000 lekë që iu gjenden gjatë kontrollit katër personave si dhe dy mjete me të cilët ata kanë lëvizur gjatë kryerjes së këtyre veprave penale, që janë të tipeve Ford veturë me targa EL 849 A dhe Pezho me targa KJ 9175 A.
Materialet iu kaluan prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”, e cila parashikohet nga neni 183/2 i Kodit Penal.
n.e/NOA