English

Reportazh/ Tek "Zyber Hallulli", Strehëza E Hershme E Kujdesit Për Fëmijët

TIRANË, 31 Maj/ATSH-Erla Gjikolli/.- Shkëndije Dhaçi, 9-vjeçarja nga Kukësi së bashku me dy vëllezërit Demokrat e Demajl dhe motrën më të madhe Vitore, ka disa vite që jeton tek shtëpia e fëmijës, "Zyber Hallulli" në rrugën e Elbasanit në Tiranë. Teksa merret gjithë qejf me dekorin e "skenës" për shfaqjen e 1 qershorit, Shkëndija tregon se ndihet mirë në këtë Shtëpi. "Këtu jam shumë mirë. Kam ardhur pak më e vogël dhe tani jam në klasën e tretë", tha ajo. Po rriten të 4 vëllezër e motra aty, ditë për ditë nën kujdesin eduktatoreve në një prej 18 Shtëpive të Fëmijës që ka Shqipëria, pa u munguar asgjë. Kuptohet, vec dashurisë së prindërve, në pamundësi që të jenë me ta. Është mesditë dhe korridori i hyrjes së godinës me tre kate gumëzhin nga zhurmat e fëmijëve, të cilët po përgatiten me gëzim për festën e tyre, 1 qershorin. "Më pëlqen shumë kërcimi, ndërsa nga mësimet matematika", tregon e qeshur Shkëndija, që nesër në festën e 1 qershorit do të recitojë një vjershë. Në Shtëpinë 100-vjecare të Fëmijëve "Zyber Hallulli", sot jetojnë 37 fëmijë, nën kujdesin e drejpërdrejtë të shtetit. Të gjithë kanë histori të ngjashme, ose janë jetimë, ose familjet e tyre biologjike nuk I kanë kushtet ekonomiko- sociale që t'i mbajnë,ndaj shteti u është gjendur pranë për t'u kompensuar atë që u mungon: një jetë sa më shendetshme. Drejtuesja Drita Mandreja tregon gjithcka u ofrohet 37 fëmijëve në këtë shtëpi të madhe. "Misioni i Shtëpisë së Fëmijës,"Zyber Hallulli" është mbështetja, përkujdesja psiko-sociale dhe rezidenciale për fëmijët në nevojë nga mosha 6 deri në 15 vjeç, ku synojmë për fëmijët krijimin e një mjedisi të përafërt me atë familjar dhe integrimin e tyre në ambjentin e jashtëm. Shërbimet që ofrohen në këtë institucion janë strehimi rezidencial, pra 24 orë, edukimi, arsimimi i detyrueshëm 9 vjeçar dhe përkujdesja psiko- sociale," thotë ajo. Në realizimin e këtij misioni në Shtëpinë e Fëmijës "Zyber Hallulli" punon një staf prej 35 punonjës, mes të cilëve, mjekë pediatër, punonjës socialë, psikologë, instruktorë që merren me argëtimin e fëmijëve dhe kultivimin e prirjeve të tyre jashtëshkollore, krahas shërbimit shëndetësor, arsimimi, pra, sigurimi i të gjitha kushteve. Kultivimi i njohurive jashtshkollore është një nga mënyrat që fëmijët e shtëpisë të integrohen në mjedisin e jashtëm, që është një përparësi në këtë qendër. Fundjava mbetet dita plot aktivitete të tilla, sikurse është kursi i matematikës për fëmijët e klasës së 9, që ka sjellë rezultate mjaft pozitive. Por nuk mbeten pas as kurset e kompjuterit dhe vizatimi, që ofrohen nga OJF "Irish Friends of Albania", një ndër bashkëpunëtorët e vjetër të institucionit. Në përmirësimin e kushteve ka kontribuar dhe fondacioni "Fëmijët Shqiptarë", i cili ka dhuruar 600 libra për bibliotekën e Shtëpisë. Për çdo fëmijë kuota ditore ushqimore është 330 lekë, ndërsa për veshëmbathje, arsimimit, fondi ditor për secilin arrin në 650 lekë. "Krahas këtij fondi që jep qeveria ne kemi dhe një akt marrëveshje me fondacionin Amerikan "Shpresë për botën". Me këto të ardhura mbulohen aktivitete të veçanta si ditëlindje të fëmijëve apo mbulimi i shpenzimeve për pushimet verore", tregon drejtoresha Mandreja. Ka shumë histori fëmijësh, nga më të ndryshme në këtë Shtëpi. Megjithatë, Mandreja tregon se numri i fëmijëve të braktisur po vjen duke u zvogëluar. Dhe këtë fakt ajo e lidh me rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë. Sot, nga 37 fëmijët e shtëpisë, vetëm dy prej tyre janë të braktisur. Në pesë vitet e fundit ka rënie të numrit të fëmijëve të braktisur që në lindje. Sepse nga rreth 400 fëmijë të tillë që gjendeshin në vitin 2004 në të 18 Shtëpitë e fëmijës në vend, në 2009 ishin 244 fëmijë, ose rreth 45% më pak. Por megjithatë, puna nuk mbaron. Ministria e Punës konstaton se është rritur numri i fëmijëve, që vijnë në këto shtëpi nga familje me probleme social-ekonomike, ku rreth 30% e numrit të përgjithshëm të fëmijëve të tillë marrin shërbime në Institucionet e Përkujdesit Shoqëror. Drejtori i Shërbimit Social, Mihal Naço thotë për ATSH-në se qëllimi kryesor i funksionimit të institucioneve të përkujdesit shoqëror për fëmijët është ofrimi i shërbimit në interesin më të lartë për ta, në përputhje me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të tyre. Naço tregon se forcimi i instrumentave të monitorimit dhe inspektimit të shërbimeve të ofruara në Institucionet e Përkujdesit Shoqëror Publik dhe jopublik nga Shërbimi Social Shtetëror ka ndikuar në përmirësimin e kushteve dhe jetesës në keto qendra rezidenciale dhe ditore në mënyre të drejtperdrejtë në fuqizimin e kapaciteteve të stafeve që ofrojnë shërbime. Një prej tyre mbetet në pararojë dhe Shtëpia 100-vjeçare e Fëmijëve "Zyber Hallulli", nga më të hershmet në vend. Ajo u krijua në 1917, vetëm pesë vjet pas Pavarësisë nga Zyber Hallulli, atë kohë, kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa vijonte këtë detyrë, i lindi ideja të krijonte një komison për krijimin e Strehës së parë Vorfnore në kryeqytet, që u hap në 28 nëntor 1917, ku u strehuan të gjithë fëmijët jetimë të vendit, pa dallim prejardhjeje. Ndaj dhe Zyber Hallulli u quajt nga bashkëkohësit e tij, "Babai i Jetimëve". Para se të vdiste, me vullnetin e tij të plotë, ia dhuroi pasurinë që kishte Strehës Vorfnore./n.m/
KOMENTE