English

Rexhepi: Tensionet në Mitrovicë, synojnë destabilitet

Prishtinë, 31 Maj, NOA - Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, pohon se tensionet në qytetin e Mitrovicës po rriten për shkak të zhvillimeve politike serbe në veri.

Duke thënë se forcat e sigurisë në Mitrovicë nuk kanë përdorur forcë të tepruar, ai ka akuzuar individë serbë që sipas tij, po bëjnë përpjekje për të përshkallëzuar situatën në qytet.

“Ata do të provojnë që të bëjnë çmos që strategjia të mos realizohet, që paketa e Ahtisarit të mos zbatohet, por pavarësisht nga këto tendenca ajo do të realizohet”, - tha ministri Rexhepi.

Ndërsa zëdhënësi i policisë së Kosovës, Besim Hoti, tha se ndihma e forcave paqeruajtëse dhe atyre të policisë së EULEX-it ka bërë që të shmangen pasojat më të mëdha.

“Sigurisht që për të parandaluar të keqen më të madhe, marrë parasysh grupet e mëdha nga të dyja anët e qytetit, është dashur edhe intervenimi i forcave të tjera. Kjo gjithsesi ishte e mirëseardhur”, - tha Hoti.

Tensionet u rritën pasi mijëra qytetarë shqiptarë, nën organizimin e shoqatave të veteranëve të Luftës të ish-UÇK dhe Lëvizjes Vetëvendosja, marshuan qytetit të Mitrovicës në shenjë kundërshtimi ndaj mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në veri.

Një numër i protestuesve shqiptarë u përpoq që të kalojë një barrikadë të policisë së Kosovës të vendosur në urë, por u zbraps nga forcat e sigurisë.

Nga ana tjetër, disa qindra qytetarë serbë të vendosur në anën veriore të urës qendrore, hodhën gurë mbi protestuesit në jug dhe provuan që të përplasen me ta.

n.e/NOA

KOMENTE