Shkoder: Projekt Per Permiresimin E Infrastruktures Ne Shkollen "Shejnaze Juka"
SHKODËR, 31 maj/ATSH-G. Marku/. - Projekti "Shkollë e hapur, shkollë e shëndetshme", i peruruar sot në mjediset e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja "Shejnaze Juka" në Shkodër synon të rrisë numrin e fëmijëve të përfshirë në jeten social-kulturore në territorin e Bashkisë.
Përmes projektit të financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Italisë, Rajoni i Emilia Romangna, komuna Forli dhe zbatuar nga Bashkia, me mbështetjen e Smile (mbështetje për minoritetet), është përmirësuar infrastruktura e shkollës së mesme të gjuhëve të huaja "Shejnaze Juka" në Shkodër.
Projekti "Shkollë e hapur, shkollë e shëndetshme", synon të rrisë numrin e fëmijëve të përfshirë në jeten social-kulturore në territorin e Bashkisë, në partneritet me institucionet të tjera shkollore, institucione rezidenciale të përkujdesjes sociale si dhe komunitetin e pakicave me origjinë egjiptiane", tha për ATSH-në kordinatori i shoqates "The Door", iniciatore e ketij projekti, Kastriot Faci.
Sipas tij, projekti synon të ndryshojë një situatë, që është pasqyruar si problematike në dokumentin strategjik "Plani Zonal i Bashkisë Shkodër". Target-grupi i këtij projekti janë minorenë, që vijnë nga familje në nevojë të popullsisë në territorin e Bashkisë Shkodër.
Krahas përurimit të mjediseve të jashtme dhe këndit sportiv të lojrave me dorë, u vlerësua dhe bibloteka e re e shkollës me literaturë në gjuhën angleze. /a.ke/