English

Sport-Futboll - Fshf Ndëshkon Aktet E Dhunës Në Ndeshjet E Play-Out

TIRANË, 31 Maj /ATSH- Gjergji Mima/. - Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit ndëshkoi sot dhunën e shfaqur në ndeshjet e play-out, Skënderbeu - Kamza 1-0 dhe Kastritoti - Lushnja 1-0, të zhvilluara mesjavën e kaluar. Komisioni i Disiplines ndëshkoi 3 futbollistë të Kastritoit, Erald Turdiu, Ylli Shameti dhe Renaldo Kalari, si dhe 6 lojtarë të Lushnjes, Gentian Çela, Mikel Kaloshi, Erion Sula, Andrea Kule, Griseld Dervishi dhe Erind Dhima, me 10 ndeshje pezullim dhe 100 mijë lekë gjobë secili për goditje me grusht të kundërshtarit. Gjithashtu, lojtarët e Lushnjes, Dorian Bubeqi dhe Alban Byzhyti, për ofendim të arbitrit, u dënuan me 6 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 50 mijë lekë gjobë secili. Ndërsa klubi i futbollit "Kamza", për trazira, hedhje të sendeve të forta në fushë nga tifozët e kësaj skuadre e ofendim të arbitrave, si dhe dëmtimin e pajisjeve të stadiumit, u dënua me 560 mijë lekë gjobë dhe detyrimin të zhdëmtojë dëmin e shkaktuar në stadiumin e Elbasanit. Ndërkohë që zyrtarët e "KF Kamza", Albert Bana dhe Bilbil Bajraktari, për gjeste fyese dhe provokuese ndaj arbitrit e zyrtarëve të FSHF-së, u dënuan me nga 3 ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 30 mijë lekë gjobë secili. Këto dënime të FSHF-së vijnë në një moment kur Superliga ka mbyllur një sezon mjaft të vështirë dhe me mjaft momente dhune, të cilat megjithëse janë ndëshkuar sipas rregullores, duket se nuk kanë sjellë asnjë përmirësim. /a.ke/
KOMENTE