Tiranë, 31 Maj 2010 NOA/ Milena Selimi - Botimet IDK sjellin në shqip veprën e fundit të botuar nga Stavro Skëndi, një ndër figurat me të rëndësishme e më interesante të kulturës shqiptare, që me veprat e tij të shkruara kryesisht në anglisht dhe gjermanisht, mbetet një pikë referimi për cilindo dijetar në botë që merret me çështjet shqiptare e ato ballkanike.
Në fakt Stavro Skëndi konsiderohej në të gjallë dekani i studimeve ballkanike në SHBA. E megjithatë, ndoshta pikërisht për faktin që nuk shkroi në shqip, deri më sot në Shqipëri Stavro Skendi (lindur më 1905 në Korçë e vdekur më 1989 në Nju Jork), fatkeqësisht ende s’njihet e s’vlerësohet sa ç’duhet. Shpresojmë që me botimin në shqip të “Studimeve kulturore ballkanike”, do ndihmojmë që vepra e kësaj figure të shquar të zërë vendin që meriton në panteonin e kulturës shqiptare.
Libri “Studime kulturore ballkanike”, i botuar për herë të parë në vitin 1980 në Nju Jork dhe i përkthyer në shqip nga Artan Puto, përbën një kontribut të pazëvendësueshëm për këdo që është i interesuar të dijë e të kuptojë më mirë historinë e emancipimit të kulturës e gjuhës sonë kombëtare, krahasuar me atë të popujve të tjerë ballkanikë.
Librit i paraprin një hyrje e shkurtër e shkruar nga Cyril E. Black, drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Princeton në New York, në prill të vitit 1980.
Në fillim ai përshkruan rrethanat historike, politike dhe ekonomike nëpër të cilat ka kaluar rajoni i Ballkanit e deri mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe mbajtja e Konferencës së Paqes në Paris, kohë kur ndikimi dhe angazhimi i shtetit amerikan në rajonin e Ballkanit vjen duke u zgjeruar. Ndërsa kur flet për autorin e librit, Black shprehet se Stavro Skendi është i paarritshëm në të kuptuarit dhe në të shpjeguarit të kompleksitetit që karakterizon vendet ballkanike.
“Sensi i lindur për të kuptuar këtë zonë si një shqiptar me prindër ortodoksë u përforcua edhe më nga arsimimi kozmopolit që ai mori në Robert College në Stamboll, të cilin e mbaroi më 1928, dhe studimet që kreu në Shkollën e Gjenevës të Studimeve Ndërkombëtare, ndërsa kualifikimin për doktor shkencash e mbrojti më 1951 në Universitetin e Kolumbias. Gjatë kësaj kohe, ai mori njohuri për turqishten dhe mësoi greqishten dhe gjuhët sllave, pa përmendur këtu anglishten, frëngjishten, gjermanishten dhe italishten, çka u dha studimeve të tij aftësinë e rrallë për t’i parë problemet e rajonit nga shumë pikëvështrime”, shkruan Black.
Megjithëse Stavro Skendi i kushton Shqipërisë vëmendjen kryesore, sipas Black, ajo nuk është një temë e kufizuar, sepse brenda kufijve të saj malorë përfshihen edhe problemet karakteristike ballkanike dhe madje në një formë të skajshme.
Karakteri i veçantë i trashëgimisë shqiptare, siç shkruan Black, e ka bërë Stavro Skendin shumë të ndjeshëm ndaj aspekteve kulturore të ndërgjegjes kombëtare. Në vëmendje të tij janë përfshirë jo vetëm njohuritë moderne të përcjella nga arsimi dhe botimet, që kanë qenë një element kaq i rëndësishëm për lëvizjet kombëtare, por edhe kultura popullore e shprehur nëpërmjet folklorit dhe gjuhës, që ndërveprojnë me kulturën më të lartë në zhvillim e sipër.
Erudicioni i Skendit dhe gama e gjerë e disiplinave me të cilat është marrë ai, e kanë shtyrë studiuesin Black të shkruajë se kemi dy Stavro Skendi: “një që shkroi disertacionin ‘Albanian and South Slavic Oral Epic Poetry’, botuar më 1954, një subjekt që është afër me tematikën e këtij vëllimi; dhe një tjetër që shkroi ‘The Albanian National Awakening, 1878-1912’, botuar me 1967, që mbetet vepra më e shquar për historinë politike shqiptare”. Në shumë drejtime këto dy tema të gjera u përkasin disiplinave të ndryshme dhe paraqesin interes për grupe të ndryshme studiuesish. Megjithatë, sipas Black, ato formojnë një unitet të natyrshëm jo vetëm se janë vepra të të njëjtit studiues, por edhe se trashëgimia kulturore e shoqërisë vazhdon të luajë një rol qendror në idetë dhe institucionet moderne edhe pasi shprehja e këtyre vlerave ka ndryshuar nga forma gojore në atë të shkruar. “Janë të rrallë ata studiues që mund ta thurin një tematikë të tillë kaq të larmishme në një ind të vetëm”, shkruan Black.
Libri, i cili ka 292 faqe, ndahet në katër pjesë: 1. Gjuha, 2. Folklori, 3. Historia dhe 4. Dy albanologë të shquar dhe vepra e tyre, në të cilin shkruan për albanologët Alois Schmaus dhe Mosely.
“Stavro Skendi është i paarritshëm në të kuptuarit dhe në të shpjeguarit të kompleksitetit që karakterizon vendet ballkanike... Janë të rrallë ata studiues që mund ta thurin një tematikë të tillë kaq të larmishme në një ind të vetëm”- shkruan Cyril E. Black, Drejtor i Qendrës së Studimeve Ndërkombëtare, Universiteti Princeton, Nju Jork, Prill 1980
Autori: Stavro Skendi
Titulli: Studime Ballkanike
Përktheu nga anglishtja: Artan Puto
Numri i faqeve: 292
Çmimi: 800 lekë
Botues: Botimet IDK