Teatri Kombëtar Dekorohet Me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu"
-Presidenti Topi dekoron edhe 7 aktorë me rastin e 65-vjetorit të krijimit të TK -
TIRANË, 31 Maj/ ATSH/- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi sot me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu" Teatrin Kombëtar me rastin e 65-vjetorit të krijimit të tij, me motivacionin "Për kontribut të veçantë në zhvillimin dhe promovimin e vlerave skenike, duke ruajtur dhe konsoliduar identitetin kombëtar të artit dhe kulturës shqiptare".
Gjithashtu, në këtë përvjetor të rëndësishëm të Teatrit Kombëtar, këtij tempulli të kulturës shqiptare, Presidenti Topi dekoroi edhe 7 aktorë të shquar të këtij teatri.
Presidenti Topi nderoi me Urdhrin "Nderi i Kombit" regjisorin e shquar të këtij teatri, Pirro Mani, me motivacionin "Personalitetit me kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e teatrit shqiptar, mjeshtër i regjisurës, që falë përkushtimit dhe profesionalizmit të treguar, përgjatë karrierës së tij, bart në vetvete një etikë të përkryer artistike të skenës".
Në shenjë vlerësimi të lartë dhe nderimi për kontributin dhe veprimtarinë e tyre në vite në skenën e Teatrit Kombëtar, Kreu i shtetit, Bamir Topi, dekoroi aktorin e mirënjohur Naim Frashëri (pas vdekjes), me Urdhrin "Nderi i Kombit", me motivacionin "Personalitetit me kontribute të rralla në historinë e skenës dhe kinematografisë kombëtare, që me karrierën e shkëlqyer si aktor dhe pedagog i fjalës artistike, me origjinalitetin në interpretimet e shumë roleve nga fondi i artë i krijimtarisë shqiptare dhe asaj të huaj, mbetet një figurë e madhe e artit shqiptar".
Ndërkohë, aktori Agim Qirjaqi, i cili u nda nga jeta pak muaj më parë, u dekorua me Urdhrin "Mjeshtër i Madh", me motivacionin "Aktorit të shquar të Teatrit Kombëtar, që me kontributin e dhënë ka pasuruar dhe ngritur në nivele të larta interpretimin artistik në skenën dhe kinematografinë shqiptare".
Me këtë urdhër u dekorua edhe aktorja Yllka Mujo, me motivacionin "Aktores me aftësi dhe merita të shquara në portretizimin e shumë figurave dhe personazheve të njohura nga skena dhe kinematografia vendase dhe e huaj, duke i dhënë origjinalitet dhe mjeshtëri të lartë interpretative", si dhe aktori i mirënjohur i skenës shqiptare Ndriçim Xhepa, me motivacionin "Aktorit me individualitet të shquar interpretimi, që ka krijuar figura artistike krejt origjinale, duke transmetuar ide dhe mesazhe të fuqishme për ringritjen shpirtërore dhe përsosjen morale të njeriut".
Ndërsa aktoret Rajmonda Bulku dhe Luiza Xhuvani u dekoruan me Urdhërin "Naim Frashëri i Artë", për interpretimin me mjeshtëri të lartë artistike të shumë roleve në dramat shqiptare dhe të mjeshtërve të mëdhenj të dramaturgjisë botërore.
Në këtë ceremoni ishin të pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, drejtuesit aktualë dhe në vite të TK, regjisorë, aktorë, skenaristë dhe personalitete të njohura të artit dhe të kulturës. /s.d/s.s./