English

Topalli: Heqja e vizave meritë e shpirtit europian të shqiptarëve

Tiranë, 31 Maj, NOA – Disa ditë pasi komisionerja europiane, Malstrom më 27 Maj, rekomandoi mbi heqjen e vizave për Shqipërinë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli deklaroi në një tubim masiv me banorë të Kamzës se vendimi historik i liberalizimit të vizave dhe transformimi i Shqipërisë janë meritë e shpirtit europian të shqiptarëve. Duke ndarë emocionet për këtë premtim të mbajtur të mazhorancës qeverisëse, kryeparlamentarja Topalli nënvizoi se ky vendim i jashtëzakonshëm është meritë e çdo qytetari shqiptar.

“Është meritë e një vizioni që kërkon ta shohim veten te familja, te shtëpia, në Europë, si dhe është meritë e angazhimit të jashtëzakonshëm të Qeverisë, Parlamentit, institucioneve shqiptare, që kanë punuar me përkushtim për të plotësuar çdo kërkesë që ne kishim detyrim, një proces gjatë të cilit Kuvendi ka luajtur një rol kyç”, - theksoi znj. Topalli.

Kryetarja e Kuvendit sqaroi përballë tubuesve se Kuvendi i Shqipërisë gjatë kësaj periudhe ka kaluar 176 ligje, marrëveshje, vendime e rezoluta, si baza e reformave kaq të dobishme për Shqipërinë

Gjatë kësaj periudhe qeverisjeje, në Kuvendin e Shqipërisë sipas kryeparlamentares Topalli janë kaluar e miratuar ligji anti-mafia, ligje të tjera të rëndësishme, mbi marrëveshje juridike me vendet e huaja, ligji kundër diskriminimit, marrëveshje të panumërta për sigurimin e kufijve, detyrime që mundësuan në 27 maj, marrjen nga BE të vendimit historik për hapjen e portave të Europës, dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve pa viza.

Duke mos lënë mënjanë retorikën politike, Kryetarja e Kuvendit, shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës në miratimin e reformave për liberalizimin e vizave, kur gjatë muajve të fundit kuvendi dhe komisionet parlamentare bënë një punë të jashtëzakonshme, dhe një pjesë e deputetëve të Opozitës nuk u lejuan të hynin në parlament dhe të jepnin kontributin e tyre për heqjen e vizave.

“Unë shpreh trishtimin e madh, që ata nuk u lejuan që të vinin në parlament dhe të votonin bashkë me ne ligje që kërkonte Bashkimi Euriopian për të lëvizur pa viza dhe të kishin mundësi që të jepnin një kontribut modest, që çdo qytetar të jetë i lirë, do të thotë që të jetë i lirë në lëvizjen e tij” përfundoi fjalën e saj në Kamëz, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

mit/NOA

KOMENTE