English

Topalli: Rekomandimi Për Heqjen E Vizave, Premtim I Mbajtur I Qeverisë

- Kryetarja e Kuvendit takohet me banorë të Kamzës - TIRANË, 31 Maj/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi sot, se "rekomandimi i Kolegjit të Komisionerëve në 27 maj për heqjen e vizave është një premtim i mbajtur i mazhorancës dhe i qeverisë". Në një takim me banorë të Kamzës, Kryetarja Topalli u shpreh se "ky është një vendim historik për Shqipërinë, që hap një faqe të ndritur për të tashmen dhe të ardhmen e të gjitha brezave". Ajo vlerësoi faktin se ky vendim i jashtëzakonshëm është meritë e çdo qytetari shqiptar, meritë e shpirtit europian të shqiptarëve. "Por, ky vendim është gjithashtu meritë e një angazhimi të jashtëzakonshëm të viteve të fundit të Qeverisë, Parlamentit dhe institucioneve shqiptare. Gjatë kësaj periudhe është punuar me përkushtim për të plotësuar çdo kërkesë që ne kishim detyrim", tha Kryetarja Topalli, duke nënvizuar faktin se Kuvendi ka luajtur një rol kyç në këtë proces. Ajo vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe janë miratuar 176 ligje, marrëveshje, vendime e rezoluta, që janë baza e reformave të jashtëzakonshme për të cilat ky vend ka nevojë. "Gjatë kësaj periudhe Kuvendi i Shqipërisë, ka miratuar ligjin anti-mafia, që kontrollon burimin e parasë dhe të pasurive. Ne kemi kaluar edhe ligjin kundër diskriminimit, marrëveshje të panumërta për sigurimin e kufijve, detyrime këto që bënë të mundur që më 27 maj, të merrej vendimi më i jashtëzakonshëm dhe të hapet rruga, që shqiptarët të lëvizin pa viza", tha Topalli. Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit shprehu keqardhjen për mungesën e opozitës në miratimin e reformave të mëdha ligjore për liberalizimin e vizave. "Kur Kuvendi dhe komisionet parlamentare kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, një pjesë e deputetëve nuk u lejuan që të hynin në parlament dhe të jepnin edhe ata kontributin e tyre për heqjen e vizave", tha Topalli. Sipas saj, "ata nuk u lejuan që të votonin bashkë me maxhorancën në ligje që kërkonte Bashkimi Euriopian për të lëvizur pa viza dhe të kishin mundësi që të jepnin një kontribut modest"./m.m/ /n.m/
KOMENTE