Turqi - Erdogan: Flotilja Ishte E Kontrolluar Rigorozisht Dhe Kishte Vetëm Ndihma Dhe Civilë
SANTIAGO, 31 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan u shpreh sot se anijet e flotiljes propalestineze viktimë e një sulmi izraelit ishin "të kontrolluara rigorozisht" dhe se ato përmbanin vetëm "ndihmë humanitare dhe vullnetarë civilë".
"Kërkoj t'u them të gjithëve, kryetarëve të shteteve dhe qeverive se këto anije të nisura nga vende të tjera dhe nga Turqia ishin kontrolluar në mënyrë rigoroze në kuadrin e rregullave ndërkombëtare të lundrimit dhe ishin të ngarkuara vetëm me ndihma humanitare", deklaroi Erdogan në Santiago.
"Në bord nuk kishte asnjë pasagjer tjetër përveç vullnetarëve civilë që sillnin ndihmën", shtoi kryetari i qeverisë turke për gazetarët përpara largimit të parakohshëm nga Santiagoja ku ai e shkurtoi vizitën e nisur për shkak të krizës së shkaktuar nga sulmi ndaj flotiljes së përbërë nga disa anije turke.
"Kishte edhe një flamur të bardhë në këto anije gjatë sulmit", shtoi ai.
Autoritetet izraelite akuzuan organizatorët e flotiljes për fillimin e dhunës që shkaktoi të paktën nëntë të vdekur.
Erdogani e cilësoi si "terrorizëm shtetëror çnjerëzor" sulmin izraelit dhe njoftoi se vendi i tij i kërkon NATO-s organizimin e një mbledhjeje urgjente. NATO-ja njoftoi se një mbledhje e posaçme është duke u përgatitur për nesër pasdite me kërkesën e Ankarasë.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së filloi gjithashtu një mbledhje urgjente lidhur me çështjen sot pasdite në Nju Jork.
Erdogan kishte filluar një vizitë zyrtare të dielën në Kili dhe më pas e anuloi atë për një arsye tjetër, vizitën në Argjentinë, etapa e dytë e turneut të tij në Amerikën Latine pas Brazilit. Ai u largua nga Santiagoja për në Ankara sot në mesditë, bëri të ditur AFP-ja.
/I.Pu.