English

Vizat/Berisha:Qeveria E Angazhuar Në Plotësimin Me Përpikmëri Të Kërkesave Të Ke-Së

TIRANË, 31 Maj/ATSH-Anila Struga/.- Kryeministri Sali Berisha siguroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së angazhimin e qeverisë në plotësimin me përpikmëri të kërkesave të parashtruara nga Komisioni Europian për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. "Siguroj, se tre kërkesat madhore të parashtruara nga KE do të plotësohen me përpikmëri. Ne jemi të vendosur t'i përgjigjemi çdo kërkese, të marrim çdo vendim dhe të mobilizojmë çdo fond që procesi të finalizohet në kohën e duhur. Ne kemi autorizimin e plotë të qytetarëve shqiptarë për të marrë çdo vendim në interesin e tyre më mirë të lëvizjes së lirë në Evropë", u shpreh kryeministri në fjalën e tij para deputetëve demokratë. Ai përshendeti sot vendimin e kolegjit të komisionerëve të KE-së për heqjen e vizave për Shqipërinë si një nga më të rëndësishmit për vendin. Ai shprehu mirënjohjen ndaj qeverive të vendeve anëtare të BE-së dhe autoriteteve europiane për mbështetjen e madhe publike dhe zyrtare që i dhanë këtij procesi. "Heqja e vizave erdhi si një proces i merituar, që sikurse tha komisionerja Malmstrom shpreh suksesin e padiskutueshëm të reformave, sidomos në luftën kundër krimit të organizuar ndëshkimit të korrupsionit e parandalimit të tij, si dhe reformave në sistemin e gjendjes civile", nënvizoi kryeministri Berisha. "Vetëm pesë vite më parë, vijoi ai, Shqipëria ngjallte në Evropë pasiguri dhe frikë për nivelin e krimit të organizuar, ku qytete të tëra kontrolloheshin nga bosët e mafies që diktonin jo vetëm në rrugë, por dhe në institucionet e vendit. Dhe nuk ka qënë i thjeshtë eleminimi i këtyre bandave, ku meritë të madhe kanë institucionet e zbatimit të ligjit. Ishte veprimtaria e këtyre të fundit që bëri që ata të identifikohen e të përballen me ligjin kudo ku ndodheshin; nga shpellat e alpeve në papafingot e pallateve në Ankara, nga hotelet me pesë yje në Shqipëri apo jashtë", tha kreu i qeverisë. Z. Berisha konfirmoi, se heqja e vizave, pas anëtarësimit në NATO është rezultati më i jashtëzakonshëm i reformave të ndërmarra nga qeveria, ku vendimtare kanë qënë zgjedhjet e 28 qershorit. "Me zgjedhjet u treguam vendeve të BE-së e NATO-s se ne kemi vullnet të hekurt të respektojmë vullnetin e lirë të qytetarëve për të mbajtur zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo votim të parregullt. Zgjedhjet e 28 qershorit ishin autostrada e suksesit historik të heqjes së vizave", u shpreh kreu i qeverisë. /f.n/
KOMENTE