Vlorë: Mot I Paqëndrueshëm, Kushte Normale Lundrimi
VLORË, 30 maj/ATSH-H.Koçi/.-Situata meteorologjike e paqëndrueshme, që ka përfshirë prej dy ditësh gjirin detar të Vlorës, do të vazhdojë të mbizotërojë edhe gjatë të hënës. Moti do të jetë me vranësira të ndërrueshme e të dendura dhe do të shoqërohet edhe me reshje lokale e të përkohshme shiu, ndërkohë që do të shënohet ulje e temperaturave krahasuar me një ditë më parë.
Por, kjo situatë parashikohet të mos ndikojë në kushtet e lundrimit, që do të jenë normale edhe për mjetet e vogla. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se, sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Jugperëndim, me shpejtësi që do të variojë nga 2-4 m/sek, deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 23-25 gradë celsius dhe ato minimale në 13-15 gradë celsius. Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 3-4 ballë në det të hapur.
Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë, do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian në orët e mesditës./s.s./