English

Vlorë, Plagoset Me Armë Zjarri Një 27 Vjeçar

VLORË, 31 Maj/ATSH-H.Koçi/.-Një 27 vjeçar nga qyteti i Vlorës është plagosur me armë zjarri mesnatën e djeshme, në rrethana që nuk janë zbardhur plotësisht nga policia. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, Klodian Haxhiraj u qëllua me armë automatike "Kallashnikov" rreth orës 24.00, në afërsi të banesës së tij, tek vendi i emërtuar "Kombinati", pranë bulevardit Vlorë-Skelë. Haxhiraj po kthehej për në banesë me automjetin e vet tip "Benz 250", kur përbri tij është afruar një automjet i të njëjtit tip me 2-3 persona brenda, njeri prej të cilëve ka qëlluar me një armë automatike. 27 vjeçari Haxhiraj, që ka marrë disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit, është përcjellë me urgjencë për në spitalin rajonal, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Ndërkohë, që autorët e kësaj ngjarjeje janë larguar me shpejtësi me automjetin e tyre, i cili 20 minuta më pas është gjetur i djegur disa qindra metra larg vendit të ngjarjes, në lagjen "10 korriku". Policia tha se brenda automjetit ndodhej edhe arma automatike e tipit "Kallashnikov", që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Policia që po punon për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, nuk ka dhënë ndonjë motiv të saj, ndërkohë që mësohet se i plagosuri ushtronte profesionin e mësuesit të fiskulturës në një shkollë jopublike./s.s./
KOMENTE