Tiranë, 1 Qershor 2010 NOA - Nga Departamenti i Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ditën e sotme, u finalizua operacioni policor i koduar “Bojaxhiu” në kuadër të të cilit u bë i mundur arrestimi i tre zyrtarëve të dyshuar për abuzim me detyrën.
Të arrestuarit janë Virgjil Joti, me detyrë Kryeinpesktor pranë Inspektoriatit Qendror Teknik të Karburanteve, Luan Qato, Inspektor pranë Inspektoriatit Qendror Teknik të Karburanteve dhe Kastriot Llakaj, Inspektor pranë Inspektoriatit Qendror Teknik të Karburanteve.
“Këta persona janë arrestuar në flagrancë, pasi i kanë marrë një grosisti karburantesh shumën prej 20.000 dollarë, në këmbim të dhënies së lejes së kryerjes së kontrollit teknik e zhdoganimit të një anije me karburant”, - i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare policore.
Nga hetimet e kryera nga Departamenti i Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka rezultuar se tre zyrtarët për një periudhë prej 8 muajsh në vazhdimësi i kanë kërkuar këtij biznesmeni shumën 10.000 dollarë për çdo anije të zhdoganuar, duke përfituar në mënyrë të paligjshme në total shumën prej 100.000 dollarë.
“Konkludimi me sukses i këtij operacioni u realizua pas një hetimi mjaft profesional të strukturave të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë, duke përdorur dhe metodat speciale të hetimit”, - i thanë agjencisë NOA, burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Materialet procedurale në ngarkim të Virgjil Joti, Luan Qato dhe Kastriot Llakaj do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë nën akuzën e kryerjes së veprës penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
r.n/NOA