Afganistan - Autoritetet Njoftojnë Vdekjen E Kreut Të Al-Kaidës Në Vend
KABUL, 1 qershor /ATSH-AFP/ - Autoritetet afgane përshëndetën sot njoftimin e dhënë nga Al-Kaida për vdekjen e kreut të rrjetit në Afganistan, Mustafa Abu al-Jazid, por hodhën dyshime lidhur me një "ndikim" të mundshëm të luftës kundër terrorizmit në Pakistan dhe Afganistan.
Vdekja e çdo terroristi të përfshirë në aktivitete terroriste në Afganistan, Pakistan ose në kufij është një zhvillim që e çon përpara kauzën", theksoi zëdhënësi i presidencës afgane Waheed Omar.
"Por, nuk jemi të sigurt se vdekja e një anëtari të Al-Kaidës ka një ndikim të rëndësishëm në terren", shtoi Omar në një konferencë shtypi.
Al-Kaida njoftoi sot në mëngjes vdekjen e shefit të saj në Afganistan, egjiptiani Mustafa Abu al-Jazid, i konsideruar si numri 3 i rrjetit të Osama bin Laden, pasi disa media në Shtetet e Bashkuara siguruan se ai është vrarë nga një avion amerikan pa pilot në zonat fisnore në veriperëndim të Pakistanit.
Jazid, 54 vjeç, i njohur më tepër me emrin e luftës Said al-Masri (ose Said egjiptiani) ishte një nga anëtarët themelues të Al-Kaidës.
Mesazhi i Al-Kaidës u njoftua nga qendra amerikane SITE, që mbikëqyr faqet islamike të internetit. Por, mesazhi nuk jep hollësi lidhur me rrethanat e vdekjes së atij që Al-Kaida e paraqet si kreun e saj në Afganistan, duke u mjaftuar të shprehet se ai vdiq si "martir".
/I.Pu.