English

"Anna Bolena", Premierë Në Tkob Në 6 Qershor

TIRANË, 1 Qershor/ ATSH- Suada Daci/- "Anna Bolena", opera kushtuar gruas së Henrikut të VIII, do të jetë premiera e radhës në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB). E cilësuar si një nga veprat e vështirësive të mëdha të belkantos, vepra lirike në të cilën i këndohet jetës dhe vdekjes së gruas së Henriku të VIII, si dhe nënës së mbretëreshës Elisabetë të Anglisë, do të shfaqet për publikun në 6,8,11,13 qershor. Opera me 2 akte "Anna Bolena" është kompozuar në italiani Gaetano Donizzeti, me libret të Felice Romani. Në të marrin pjesë solistët e TKOB, Marjana Leka, Armando Likaj, Vikena Kamenica, Eduard Sokoli, Rudin Sata, Lindita Kola, Erlind Zeraliu si dhe kori e Orkestra Simfonike e TKOB. I ftuar do të jetë në këtë shfaqje tenori Marco Frusoni. Mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre do të jetë Marco Berdondini, dirigjent kori Dritan Lumshi, regjizore Eleonora Paterniti, ndërsa skenografia është realizuar nga Platon Bardhi dhe kostumografia nga Sartoria Arrigo- Milano. Anna Bolena ishte gruaja e dytë e Henrikut VIII, veç faktit që ishte nëna e mbretëreshës Elisabeta e Anglisë. Martesa e saj me Henrikun e VIII-të shkaktoi tronditje të mëdha politike dhe religjoze. Drama e operas është bazuar në ditët e fundit të jetës së Anna Bolenës, e cila do të vdesë me dëshirën e të shoqit të saj, duke u akuzuar për tradhëti bashkëshortore, incest, magji. Anna i kaloi ditët e fundit të jetës së saj mbyllur në kullën e Londrës. Ajo u betua dy herë mbi sakramend se ishte e pafajshme për të gjitha akuzat që i ishin bërë. Për herë të parë kjo vepër lirike u ngjit në skenë në Milano të vitit 1830. Donizzeti e shkroi "Anna Bolenën" për vetëm 30 ditë./s.s./
KOMENTE