Basha: Nga 1 Janari 2011, Do Te Jenë Të Papërdorëshme Pasaportat Aktuale Për Jashtë Vendit
TIRANË, 1 Qershor /ATSH, Mira Shkurta /- "Nga 1 janari i vitit 2011, pasaportat aktuale për jashtë kufijve të Shqipërisë, do të jenë të papërdorëshme", është shprehur ministri i Brendshëm, Lulzim Basha në emisionin "Opinion" në TV Klan.
Pajisja e shtetasve shqiptarë me pasaportat e reja biometrike, do të jetë i vetmi dokument i vlefshëm për lëvizjen e lirë pa viza në hapësirën Shengen, u shpreh ministri i Brendshëm.
Duke vlerësuar të suksesshëm procesin e paisjes me dokumentat e reja biometrike, kreu i ministrisë së Brendshme informoi se "kontrata me firmën kontraktuese "ALEAT" për prodhimin e këtyre dokumentave, miratuar edhe nga Parlamenti shqiptar, në një nga pikat e saj, parashikon bërjen të pavlefshme të pasaportave aktuale nga 1 Janari i vitit 2011".
Sipas ministrit Basha, ky proces, që po ecën me ritme të kënaqëshme nisur nga kapacitetet ekzistuese, do të bëjë të mundur që nga data 1 Janar, 2011, pasaportat aktuale për jashtë shtetit do të mund të zevendësohen me pasaportat e reja biometrike.
Ministri Basha u kërkoi shtetasve, që nuk kanë aplikuar për këtë dokument, të mos e lënë për një afat të fundit.
"Akutalisht, sistemi mundëson prodhimin e 7000 pasaportave në ditë, ndërsa numri ditor i aplikimeve për pasaportat biometrike, shënon 2500 të tilla", tha ai. Gjithashtu ministri bëri të ditur për një rritje prej 33 % të kapacitetit përpunues në Qendrën e Personalizimit të Dokumentave Elektronike në Tiranë.
Nga dita e parë e fillimit të aplikimit për pasaportat biometrike në 25 Mars, 2009, numërohen mbi 690 mijë aplikime, ndërsa e disponojnë 675 mijë qytetarë shqiptarë.
Për t'u ardhur në ndihmë emigrantëve shqiptarë duke u dhënë mundësinë e aplikimit dhe tërheqjes së dokumentave elektronike, ministri Basha bëri të ditur se së afërmi do të çelen pikat e aplikimit në katër zyrat konsullore në Romë, Milano, Athinë dhe Selanik, zona ku jetojnë mbi 80 % e totalit të emigrantëve shqiptarë.
Ministri Basha informoi se "brenda këtyre ditëve, pritet të nënshkruhet një marrëveshje mes ministrisë së Brendshme dhe Koncesionarit të prodhimit të dokumentave elektronikë "SAGEM", që do t'u krijojë mundësinë shtetasve shqiptarë, që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit dhe që nuk e kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme për tërheqjen e dokumentit për të cilin ata kanë aplikuar, kundrejt një pagese mbi çmimin e vlerës së pasaportës së re, të mund ta tërheqin atë".
Basha bëri të ditur aplikimin me pagesat për këtë shërbim ekstra, sikurse ndodh edhe në shtete të tjera, kur kërkohet përshpjetim i kohës së marrjes pas aplikimit, që varion për shërbimet nga 24 orë, 72 orë, etj.
Procesi i pajisjes së shtetasve shqiptarëve me pasaportën biometrike filloi në 25 mars 2009, fillimisht në Tiranë, për t'u shtrirë më vonë në të gjithë vendin.
Paralelisht me këtë proces, vijon edhe procesi i paisjes së qytetarëve me letërnjoftimin elektronik, ku nga dita e parë e fillimit, kanë aplikuar rreth 2 milionë e 115 mijë qytetarë, prej të cilëve, i disponojnë 2 milionë e 100 mijë persona.
/a.ke//n.m/