Berisha: Ekonomia Shqiptare Reflekton Sukses, Sepse Mbeshtetet Ne Vlerat E Lirise Se Tregut
-10 vjet më parë, Shqipëria u anëtarësua në OBT dhe sot vjen me një bilanc realisht të suksesshëm -
TIRANE, 1 Qershor /ATSH/-" Shqipëria i rezistoi krizës sepse ekonomia jonë është e bazuar më shumë se kushdo tjetër në vlerat e lirisë së tregut", tha sot Kryeministri Berisha në Konferencën Kombëtare "Politikat Tregtare të Shqipërisë, mbështetje për zhvillimin ekonomik të vendit", organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës me rastin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Duke veçuar këtë fakt, Kryeministri u shpreh se "Shqipëria u anëtarësua në këtë organizatë 10 vjet më parë dhe vjen sot këtu me një bilanc realisht të suksesshëm".
Berisha vlerësoi OBT-në për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme konstante që i ka dhënë vendit tonë në fushën më jetike, ekonominë e tregut dhe lirinë e saj, që është tregtia e lirë.
"Asnjë faktor nuk është me ndikimin më të fuqishëm në iniciativën e lirë të individit, në kompleksin e interesave të tij më shumë se tregu dhe liria e tij", tha Berisha, duke cilësuar se asgjë nuk përcakton më shumë shëndetin e një ekonomie, sesa liria e tregtisë.
"Nuk ka raport më të rëndësishëm, dëshmitar më të besueshëm për lirinë e tregut se sa standardet e tregtisë së lirë. Po të vështrosh të gjitha reformat që ne ndërmarrim, ato kanë një synim: të garantojnë lirinë e tregut, tregtinë e lirë, që pothuaj janë sinonime të njëra-tjetrës", tha Kryeministri Berisha.
"Ne jemi të vendosur ta ndjekim duke përdorur si leva e Arkimedit lirinë, zgjerimin e dimensioneve të saj. Kur ti punon, kur ti bën bilanc, je i detyruar të shohësh prapa, të shohësh cilat janë dobësitë e modelit që ndjek. E vërteta është se sot ky model faktohet çdo ditë e më shumë model suksesi, model suksesi i vërtetë. Shqipëria ka një apel: askush nuk duhet të trembet nga tregtia e lirë", tha Kreu i Ekzekutivit shqiptar.
Duke sjellë në retrospektivë krizën financiare, kreu i qeverisë theksoi se "në kulmin e një krize, e një piramidërie botërore, Shqipëria është i vetmi vend, që këto 4 muaj, krahasuar me 4 muajt e viti të kaluar, shënoi dyfishimin e eksporteve "Made in Albania". Pavarësisht se nuk jemi vend i ndihmave shtetërore, as edhe i parqeve të eksportit, apo i politikave të subvencionit të eksporteve, duke krijuar një mjedis sa më të mirë për tregun për investimet, duke vendosur barrën fiskale më të ulët, vendi këto 4 muaj, për herë të parë në historinë e tij, shënon dyfishimin e eksporteve", tha Berisha.
Kryeministri shprehu nderimin e madh për OBT-në, e cila e ka vlerësuar Shqipërinë në mënyrë objektive për rezultatet e arritura si dhe garantoi për zgjerimin gjithnjë e më shumë të hapësirave të tregtisë së lirë, heqjen e çdo barrierë. "Ne jemi ekonomi jo e madhe, por jemi ekonomi e re dinamike, entuziaste. E vërteta është se jemi ekonomi më globale se ekonomitë e tjera, se sa më i vogël të jesh, aq më global je, nuk ke zgjidhje, por nuk ke as humbje"-tha Berisha.
Kryeministri bëri apel që ky 10-vjetor, të shërbejë si një stacion për të përcaktuar objektiva të reja në mënyrë që të zgjerohet liria e tregut, "të inkurajojmë tregtinë e lirë, të heqim çdo barrierë, me guxim".
"Shembulli i Shqipërisë në këtë krizë të madhe botërore dëshmon se përcaktuese për një ekonomi janë parimet mbi të cilat bazohet", vuri në dukje Kryeministri Berisha, i cili evidentoi se "e vërteta është se ne e i rezistuam krizës sepse ekonomia jonë është e bazuar më shumë se kushdo tjetër në vlerat e lirisë së tregut".
Në këtë takim, merrnin pjesë ministra të kabinetit qeveritar, ambasadorë të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të OBT-së./e.xh/s.s./