English

Berisha: Të tjerët krizë, ne progres ekonomik

Tiranë, 1 Qershor, NOA – Ndërsa vendet e rajonit dhe gjithë bota po vuan efektet e një krize globale që zbehu ritmet e rritjes së tyre ekonomike, Shqipëria jo vetëm që nuk u prek prej tyre, por është fakt se vazhdon të shënojë progres ekonomik.

Një fakt të tillë, kryeministri Sali Berisha e ka bërë me dije gjatë një fjalimi të mbajtur në konferencën e Bankës Botërore, duke theksuar se “ekonomia jonë i rezistoi krizës jo se jemi një segment i vogël i ekonomisë botërore, por se ajo funksionon mbi parime të shëndosha”.

E duke dhënë argumenta konkretë pse ka ndodhur kjo rritje ekonomike edhe në kuadrin e krizës globale financiare, kryeministri përmendi faktin se në Shqipëri punonjësit publikë, janë dyfish më pak se në çdo vend të rajonit.

“Por ekonomia jonë i rezistoi krizës edhe sepse asnjë investitor i huaj nuk është larguar nga Shqipëria. Po, ka patur një ulje të tyre sepse kjo ka qenë e natyrshme në këtë furtunë financiare që ndodhi”, tha ai në vijim të këtij argumenti.

Duke shtuar në fund se “me konsolidimin e shtetit ligjor, luftën me zero tolerancë ndaj korrupsionit si dhe reformat e qeverisë për dixhitalizimin e sistemeve dhe arsimin, ky vend do të udhëtojë drejt vendeve të zhvilluara, më shumë nga sa e imagjinojmë të gjithë”.

n.e/NOA

KOMENTE