Tiranë, 1 Qershor, NOA – Tolerancë zero ndaj mbjelljes së lëndëve narkotike nëpër komuna të ndryshme të vendit, investime të fuqishme dhe penalizim të pushtetarëve vendas që lejojnë mbjelljen e lëndëve narkotike në komunat që drejtojnë.
Kështu ka deklaruar sot kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e komitetit ndërministror për luftën kundër krimit.
Duke kërkuar që të rriten investimet për të lehtësuar jetën e banorëve në zonat ku lëndët narkotike mbillen si një mundësi për të mbijetuar, kreu i qeverisë, Berisha nënvizoi se është bërë një punë e madhe në luftën kundër Kanabisit, një punë që sipas Berishës i jep meritë të posaçme forcave të rendit.
“Përgëzoj forcat e rendit, deputetët, të cilët kanë bërë një punë komunitare të dobishme në disa komuna të vendit, si Lazarat, dhe për këtë rëndësi të veçantë në këtë moment kanë investimet në këto zona”, theksoi kryeministri.
Kryeministri Berisha deklaroi se “duhet të përcaktojmë programe të veçanta për të ndihmuar këto komunitete.
Nga njëra anë të ketë tolerancë zero për mbjelljen e kanabisit, por nga ana tjetër do të investojmë fuqishëm në këto zona që të lehtësojmë jetën e tyre”, vijoi më tej Berisha.
“Të zbatohet ligji që penalizon pushtetarët në vendet ku mbillet lëndë narkotike, pasi janë pikërisht ata zotër të vendit ku mbillet kanabisi”, përmbylli fjalimin e tij në komitetin ndërministror për luftën kundër krimit dhe lëndëve narkotike, kryeministri Sali Berisha.
mit/NOA