English

Bimët Narkotike-Berisha Kërkon Zbatimin Me Seriozitet Të Ligjit Për Penalizimin E Pushtetarëve Vendorë

- Mblidhet në kryeministri, Komiteti Ndërinstitucional kundër krimit të organizuar - TIRANË, 1 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot zbatimin me seriozitet të ligjit për penalizimin e pushtetarëve vendorë për mbjelljen e bimëve narkotike në territorin e tyre. Në mbledhjen e Komitetit Ndërinstitucional kundër krimit të organizuar, që u zhvillua në Kryeministri, Kreu i Qeverisë theksoi se "me ligj dhe me Kushtetutë, pushtetarët vendorë janë përgjegjës për administrimin e territorit të komunës së tyre". "Ata nuk mund të thonë se nuk e dinë se po mbillet kanabis. Po të kenë vullnet, le të kërkojnë edhe ndihmë nga policia që të kontrollojnë, por nuk mundet që të mos mbajnë përgjegjësi. Në përputhje me ligjin e votuar në parlament, kryetari i komunës mban përgjegjësi për atë që ndodh në territorin e saj, mbjelljen e bimëve narkotike", tha Kryeministri Berisha. Kreu i Qeverisë vlerësoi se është bërë një punë e madhe për luftën kundër mbjelljes së kanabisit dhe në këtë drejtim, përgëzoi forcat e rendit dhe deputetët që kanë bërë një punë komunitare shumë të dobishme në disa komuna të vendit, si në Lazarat, por edhe në disa komuna të tjera. "Ne duhet të përcaktojmë programe të veçanta për të ndihmuar këto komunitete. Nga njëra anë të përdorim zero tolerancë ndaj mbjelljes së kanabisit, por nga ana tjetër të investojmë fuqishëm në këto komuna dhe zona, në mënyrë që të valorizojmë pasuritë e tyre edhe të lehtësojmë jetën e tyre", tha Kryeministri Berisha. Kryeministri theksoi se "me luftën kundër korrupsionit, tani është konsoliduar një traditë penalizimi e padiskutueshme". Në çështjen e pastrimit të parave, sipas tij, "kjo traditë është rudimentare dhe po përparësohet bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme". /s.s./
KOMENTE