English

Burgaj: Kryeinspektori Dhe Dy Punonjes Te Inspektoriatit Qendror Teknik Te Karburanteve, Ne Pranga Per Korrupsion

TIRANË, 1 Qershor /ATSH, Mira Shkurta /. - Tre punonjës të Inspektoriatit Qendror Teknik të Karburanteve në Tiranë janë arrestuar mesditën e së martës nën akuzën e "korrupsionit" dhe përfitimit të paligjshëm të 100 mijë dollarëve, duke shpërdoruar me detyrën. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj bëri të ditur sot në një dalje për median, se "në prangat e Policisë janë vënë sot shtetasit: Virgjil Joti, kryeinspektor pranë Inspektoriatit Qendror Teknik të Karburanteve, Luan Qato dhe Kastriot Llakaj, inspektorë pranë këtij inspektoriati". Sipas kreut të policisë shqiptare, këta shtetas akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë ofruar një grosisti karburantesh, kundrejt shumës prej 20 mijë dollarë, licensën për ushtrimin e kontrollit teknik të zhdoganimit të një anije me karburant. Burgaj tha se "gjithashtu, në një periudhë prej 8 muajsh, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë kërkuar biznesmenit të karburanteve 10 mijë dollarë për zhdoganimin e çdo anije, duke përfituar në kundërshtim me ligjin në total një shumë prej 100 mijë dollarë". Arrestimi i këtyre shtetasve u bë i mundur pas përfundimit të operacionit të koduar "Bojaxhiu", kryer nga Departamenti i Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Tiranë. Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve, ndaj të cilëve rëndon akuza e "korrupsionit pasiv nga personat që ushtrojnë funksione publike", i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. /a.ke/
KOMENTE