English

Durrës: Banorët, Të Shqetësuar Për Qëndrimin E Drejtësisë Ndaj Vjedhësve

DURRËS, 1 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Një grup banorësh të zonës së ish-kënetës mes të cilëve mësues, prindër dhe nxënës kanë shprehur sot shqetësimin e tyre për vjedhjen e shkollës 9-vjeçare dhe për qëndrimin e organeve të drejtësisë ndaj shkelësve të ligjit. "Dhjetë ditë më parë forcat e policisë arrestuan një 22-vjeçar nga Puka me banim në lagjen tonë," tha për ATSH-në kryetari i Bordit të shkollës Muhamet Ago, duke shtuar se vjedhësi i ndaluar disa herë për të njëjtën vepër penale është lënë i lirë brenda pak ditësh nga organet e drejtësisë. "Gjyqtarët janë të korruptuar dhe ne ndjehemi të pambrojtur nga vjedhjet, pasi të lirosh një hajdut do të thotë ti hapësh rrugë një krimi tjetër," shkruajnë në peticionin e tyre për drejtuesit e qeverisë dhe të ministrisë së Brendshme banorët e lagjes së ish-kënetës, ku që nga mesi i viteve 1990 jetojnë më shumë se 35 mijë banorë. Sipas prindërve dhe mësuesve që kanë firmosur peticionin, falë mbështetjes së banorëve, vjedhësi u ndalua nga forcat e policisë brenda një kohe rekord me të gjitha materialet e grabitura nga mjediset e shkollës që kanë një vlerë prej mbi 200 mijë lekë. "Shkolla e Re" 9-vjeçare është ndërtuar tre vjet më parë dhe në bankat e saj ulen më shumë se 1400 nxënës. Lagjia e ish-kënetës, e ndërtuar gjatë 15 viteve të fundit, në veri të Durrësit, tashmë ka një infrastrukturë që përmirësohet vazhdimisht falë investimeve prej disa dhjetra milionë euro nga qeveria shqiptare. Qyteti i Durrësit aktualisht numëron më shumë se 205 mijë banorë, ose tre herë më shumë se në vitin 1989./ch/
KOMENTE