Shkodër, 1 Qershor, NOA – Kufiri i një livadhi në Bjeshkën e Domënit, në Komunën Postrribë, të Shkodrës, pronë e familjes bëri që të hënën në mbrëmje të humbin jetën në mënyrë tragjike dy vëllezër.
Pas një konflikti për kufirin e livadhit, ndërsa kullotnin bagëtitë në bjeshkë, Isa Çelaj 79 vjeç dhe Hysen Çelaj 76 vjeç kanë gjetur vdekjen me armë zjarri.
Policia e Qarkut të Shkodrës njoftoi se për ngjarjen e rëndë është shpallur në kërkim djali i Hysen Çelaj, Selim Çelaj, 50 vjeç me akuzën “vrasje me dashje”, pasi në 31 maj, rreth orës 16.30, në vendin e quajtur “Bjeshket e Domenit”, pas konfliktit me armë zjarri mes xhaxhait të tij, Isait dhe të atit, Hysenit, goditi me levë në kokë xhaxhanë 79 vjeçar, Isain, që nga plagët e rënda ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.
Por, më parë Isa Çelaj nga ana e tij kishte patur me vete armë zjarri, pistoletë, me të cilën qëlloi të vëllanë Hysenin, duke e plagosur rëndë, i cili me gjithë ndihmën mjekësore në spitalin rajonal të Shkodrës nuk mundi të shpëtojë gjallë.
mit/NOA