English

Dyert E Institucioneve Euro-Atlantike, Te Hapura Per Te Gjitha Vendet E Ballkanit

- Artikull i përbashkët i Sekretares së Shtetit Klinton, Komisioneres europiane Eshton dhe ministrit spanjoll Moratinos në vigjilje të Samitit të Sarajevës - TIRANE, 1 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Dyert e institucioneve euro-atlantike mbeten të hapura për të gjitha vendet e Ballkanit dhe SHBA dhe Bashkimi Europian presin me kënaqësi t'i urojnë mirëseardhjen secilit prej tyre, sapo të kenë përmbushur kërkesat për anëtarësimin. Ky është qëndrimi i përbashkët i Sekretares së Shtetit të SHBA, Hilary Rodham Klinton, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës-Presidente e Komisionit Europian, Kethrin Eshton dhe Ministrit të Punëve të Bashkëpunimit të Jashtëm të Spanjës, Miguel Angel Moratinos, bërë publik në një artikull, të publikuar sot nga zyra e shtypit pranë ambasadës së SHBA në Tiranë. Integrimi i Ballkanit Perëndimor në bashkësinë euro-atlantike, vlerësohet në këtë artikull si një prej sfidave të fundit për të ndërtuar një Europë demokratike dhe të bashkuar. Në vigjilje të Samitit të Sarajevës (2 qershor), artikulli nënvizon se takimi ministerial i organizuar nga presidenca spanjolle e BE-së, ku marrin pjesë udhëheqës të lartë të shteteve anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor, SHBA-së, Rusisë dhe Turqisë, riafirmon përkushtimin e përbashkët ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit nëpërmjet integrimit në institucionet europiane dhe euro-atlantike. "Pothuajse një shekull më parë, në Sarajevë filloi një luftë e cila ndryshoi udhën e historisë europiane. Afro 20 vjet më parë, qyteti ishte qendra e një tjetër konflikti të dhunshëm që mori fund vetëm pas Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995. 10 vjet më parë, kur luftrat jugosllave ishin ende të freskëta në kujtesë, Bashkimi Europian afirmoi rolin kyç të institucioneve shumëpalëshe euro-atlantike në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit në të ardhmen", citon artikulli, ku çmohet se sot Sarajeva është në paqe, një simbol rilindjeje dhe pajtimi, që përfaqëson të gjitha shanset dhe sfidat e integrimit europian dhe euro-atlantik. Tre personalitetet botërore theksojnë se "në Sarajevë, ministrat e BE-së do të rishprehin përkushtimin ndaj perspektivës europiane për rajonin". "Ministrat nga rajoni do të riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj zbatimit të reformave të nevojshme për të përmbushur aspiratat e popujve të tyre dhe për t'i çuar vendet e tyre përpara në rrugën drejt bashkësisë euro-atlantike", vijon artikulli. Tre personalitetet e larta theksojnë se "gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit, perspektiva e integrimit në BE dhe NATO është parë si një shtysë e fuqishme për reformat, begatinë ekonomike dhe sundimin e ligjit". Sipas tyre "anëtarësimi ka vlerën e vet të brendshme që europianët e njohin mire. Ai do të thotë një vend në tryezën e vendimeve europiane, lëvizje të lirë për mallrat dhe njerëzit si dhe garancinë e sigurisë. Reformat e kërkuara për anëtarësimin në këto institucione kanë gjithashtu vlerë transformuese. Popujt e rajonit duan dhe meritojnë transparencën dhe llogaridhënien nga qeveritë e tyre, një fushë të barabartë loje për bizneset si dhe një mundësi për t'i rritur fëmijët e tyre në paqe dhe siguri. Kjo është edhe ajo që ne duam për ata". Në artikullin e përbashkët të Sekretares së Shtetit Klinton, komisioneres europiane Eshton dhe ministrit Moratinos thuhet se "presim nga udhëheqësit e rajonit që të përmbushin përgjegjësitë e tyre duke zbatuar reformat për të cilat vendet e tyre kanë nevojë". "Ritmi i ndryshimit global është i tillë saqë asnjë prej nesh nuk mund të përballojë ngecjen në vend dhe 'punë të bëra si gjithmonë'. Angazhimet nga të dyja palët duhet të jenë reale, jo retorike", vijon artikulli. Duke theksuar se "racionalja për këtë udhë të re për rajonin është e qartë: zëvendësimi i dinamikave të vjetra të shpërbërjes me dinamikën e re të integrimit europian", tre personalitetet e larta vijojnë më tej, duke u shprehur se "me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës, ka ardhur koha që BE dhe Ballkani të bashkohen përsëri me partnerët ndërkombëtarë të rajonit drejt një synimi të përbashkët. Lisbona mishëron ambicien e BE-së për t'u bërë një aktore më e efektshme globale, dhe Ballkani përfaqëson një provë të vështirë për suksesin e kësaj ambicieje". Duke siguruar mbështetjen e plotë për udhëheqësit e Ballkanit në përballjen me sfidat e reformave, në artikull shtohet se "përtej zbatimit të kritereve politike dhe ekonomike të Kopenhagenit, vendet e Ballkanit duhet të angazhohen për pajtim mes bashkësive etnike dhe fetare, si dhe mes gurpeve politike për të ndërtuar një konsensus të ri kombëtar. Vendet e Ballkanit, duhet të zëvendësojnë rivalitetet rajonale dhe vendore me partneritete që synojnë ndrëtimin e interesave të përbashkëta dhe korrjen e përfitimeve të përbashkëta". "Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë kursyer asnjë përpjekje këto muaj për t'u marrë me frontet e shumta në procesin e stabilizimit dhe "europianizimit" të Ballkanit, në përpjekje për të rrënjosur sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen. Administrata Obama i ka dhënë përparësi të lartë punës së bashku me partnerët e BE-së për të arritur këto synime dhe është e përkushtuar të mbetet e angazhuar në rajon deri në realizmin e vizionit tonë të përbashkët", vijon artikulli. "Premtimi për rajonin, ndaj së cilës BE dhe Shtetet e Bashkuara do të rishprehin përkushtimin në Sarajevë më 2 qershor, mbetet i palëkundur: qëndrojmë të gatshëm për të ndihmuar qytetarët dhe udhëheqësit e rajonit në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë së bashku", përfundon artikulli i përbashkët i Sekretares së Shtetit Klinton, Komisioneres Eshton dhe Ministrit spanjoll, Moratinos./n.m/
KOMENTE