Korçë, 1 Qershor, NOA – Një ngjarje aspak e zakontë ka ndodhur në qytetin e Korçës, ku një person ka detyruar me forcë një tjetër për t’u martuar me mbesën e tij përmes kanosjes.
Ajo bëhet me dijeni për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Korçës, sipas të cilave, agresori është 40-vjeçari Arben Xhambazi, banues i këtij qyteti, ndërsa i lënduari mban inicialet M.T.
Ky i fundit ka kryer kallëzim penal në polici duke cituar se Xhambazi e ka detyruar të hipë në mjetin e tij tip Benz me targë KO7255B pa dëshirën e tij dhe më pas e ka nxjerrë në periferi të qytetit ku e ka kanosur dhe shtrënguar që të pranoje lidhje martesore me mbesën e tij.
Menjëherë paskëtaj kryhen veprimet hetimore procedurale në gjendje të lirë për veprën penale të “Heqjes së paligjshme të lirisë”, parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal ndaj Xhambazit, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.
n.e/NOA