English

Ekon - Eurozonë - Rekord I Ri I Papunësisë, Në Prill 10.1 Për Qind

BRUKSEL, 1 qershor /ATSH-ANSA/ - Rekord i ri për papunësinë në Eurozonë është shënuar në muajin prill, përkatësisht me 10.1 për qind kundrejt 10 për qind që u regjistrua në muajin mars. Bëhet fjalë për nivelin më të lartë që prej gushtit të vitit 1998. Ndërsa në të gjithë Bashkimin Evropian papunësia nuk ka pësuar luhatje duke qëndruar në kuotën 9.7 për qind, njoftoi Eurostat, Instituti evropian i statistikave. Në muajin prill të papunët në Evropë ishin 23 milionë e 311 mijë persona, prej të cilëve 15 milionë e 867 mijë vetëm në Eurozonë. Krahasuar me muajin mars, numri i të papunëve u rrit me 25 mijë persona, si në BE po ashtu edhe në Eurozonë. Ndërsa krahasuar me prillin e vitit 2009, numri i të papunëve është rritur me 2 milionë e 400 mijë persona në BE dhe me 1 milionë e 275 mijë në Eurozonë. Situata paraqitet negative në Francë, me 10.1 për qind, ndërsa më pozitive në Gjermani ku në prill papunësia regjistroi 7.1 për qind, kundrejt 7.3 për qind në muajin mars. Niveli rekord i papunësisë u regjistrua në Letoni me 22.5 për qind, Spanjë 19.7 për qind dhe Estoni me 19 për qind. Ndër vendet e tjera të prekura më rëndë nga kriza është Portugalia, me 10.8 për qind dhe Irlanda me 13.2 për qind të papunë. Papunësia vazhdon të godasë kryesisht të rinjtë, me 20 për qind në Eurozonë për moshat nën 25 vjeç. Një nga vendet me përqindjen më të lartë të të papunëve në moshë të re është Spanja, me 40.3 për qind. /e.v/
KOMENTE