English

Ekonomi - Zvicër - Rritja Ekonomike Ngadalëson Ritmin Në Tremujorin E Parë

BERNË, 1 qershor /ATSH-AFP/ - Prodhimi i Brendshëm Bruto, PBB, është rritur me 0,4 për qind në tremujorin e parë, duke ngadalësuar rritjen e filluar vitin e kaluar, njoftoi sot Ministria zvicerane e Ekonomisë. Rritja e madhe e eksporteve dhe një rritje e moderuar e konsumit të familjeve nuk kanë arritur ta pengojnë rënien e shpenzimeve të shtetit dhe të investimeve, shtoi ministria në një komunikatë. Megjithatë, situata ekonomike e konfederatës, që ka regjistruar në tremujorin e fundit të vitit 2009 një rritje prej 0,9 për qind, është më e mirë se ajo e zonës euro (+0,2%), partneri i saj kryesor ekonomik. Sidoqoftë, këto shifra janë më të vogla se sa luhatja e parashikimeve të analistëve të pyetur nga agjencia financiare AWP, që parashikonte nga 0,6 deri 0,9 për qind për periudhën nga janari në mars. Ekonomia zvicerane është rritur 2,2 për qind në luhatje vjetore. Për sa i përket evolucionit për pjesën tjetër të vitit, parashikimet e specialistëve janë të ndryshme. Qendra e kërkimeve konjukturale (KOF) e universitetit të Zyrihut u shpreh së fundi se rritja e ekonomisë zvicerane pritet të vazhdojë muajt e ardhshëm, duke u bazuar në të dhëna të ekonomisë zvicerane. Ekonomistë të tjerë presin që Zvicra të vuajë nga pasoja të problemeve të zonës euro, e përfshirë në krizën e borxhit. Banka Qendrore zvicerane rishikoi gjithashtu me rritje në mars parashikimet e saj të rritjes ekonomike dhe u shpreh për një rritje prej rreth 1,5 për qind të PBB-së gjatë këtij viti kundrejt rreth 0,5 për qind më parë. /I.Pu.
KOMENTE