Elbasan: Gazetarët Reagojnë Ndaj Kërcënimeve Për Shkak Të Profesionit
ELBASAN, 1 qershor /ATSH-Miranda Sadiku/ - Unioni i Gazetarëve të degës së Shqipërisë së Mesme në Elbasan, dënoi të martën përmes një deklarate kërcënimet ndaj gazetarëve lokalë, që kanë bërë të afërmit e disa personave të arrestuar në lidhje me dy vrasje.
"Të afërm të familjarëve apo rretheve shoqërore të tyre (të arrestuarve), lidhur me dy ngjarjet e fundit, mjaft të rënda, ndodhur në këtë qytet kërkojnë të bëjnë me faj njerëzit e shtypit," tha kryetari i Unionit, Besim Dybeli.
Sipas Dybelit, gazetarët e Elbasanit e përcjellin "me mjaft korrektësi gjithçka që ndodh e që i shërben shoqërisë" dhe, sipas tij, kështu "ka bërë edhe për dy ngjarjet e fundit, që kanë tronditur këtë qytet".
"Dy ngjarjet e fundit" që u referohet deklarata janë vrasja e një gruaje dhe një taksixhiu. Për rastin e dytë janë arrestuar tre persona, por të afërmit e tyre kanë kërcënuar gazetarët lokalë.
"Kërcënimet kanë qenë verbale, të tipit "mbaje mend çfarë do t'iu bëjmë", fjalor fyes, që nuk mund të shkruhet në lajm, etj", thonë gazetarët.
Sipas Dybelit "të gjitha kronikat televizive, apo ato në shtyp janë dhënë me përpikëri sipas burimeve zyrtare të policisë, pa bërë asnjë koment në to dhe nuk janë shkelur parimet profesionale".
Deklarata e Dybelit përfundon me shpresën dhe besimin e gazetarëve se familjarët e personave "që kanë nisur kërcënimet në mënyra të ndryshme, të mirëkuptojnë punën e gazetarëve, opinioni publik të vlersojë njerzit e fjalës së lirë, sikurse instancat shtetërore të kenë në vëmendje në identitetin moral dhe jetën e gazetarëve që ndjehen të kërcënuar"./ch/