Fier, 1 Qershor, NOA – Ndërsa kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të këshillit ndërministror kundër krimit, deklaroi tolerancë zero në mbjelljen e lëndëve narkotike në vend, ka qenë policia e Fierit që ka vënë në jetë menjëherë një aksion ku u kapën lëndë narkotike dhe armë kallashnikov.
Në një operacion blic seksioni kundër narkotikëve në policinë e Fierit arrestoi në flagrancë në orën 15.00, 22 vjeçarin Besnik Spahia, banor në fshatin Hoxharë e Vjetër, të Fierit.
Sipas informacioneve të mbledhura në rrugë operative dyshohej se ne banesën e tij, Spahia mbante lëndë narkotike me qëllim tregtimi.
Nga kontrolli i ushtruar mëngjesin e sotëm, në orën 09.00, në banesën e të arrestuarit, sipas njoftimit nga Policia e Fierit, u gjetën, 55 bimë me ngjyrë jeshile, të ngjashme me atë të bimës kanabis attiva; një qese plastmasi me një sasi prej 1,096 kg, që dyshohet të jetë marijuanë; si dhe një armë zjarri Kallashnikov, model 56; 2 ndezës; një kuti metalike me 1120 fishekë, 166 fishekë në qese; 4 krëhëra kallashnikovi me 60 fishekë, gjithsej 1346 fishekë si dhe një aparat celulari, të cilat u seksuestruan nga policia e qarkut në cilësinë e provës materiale.
Besnik Spahia po ndiqet penalisht për veprat penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe për prodhimin dhe mbajtjen pa leje të armëve luftarake e municioneve.
mit/NOA