English

Flotilja - Be-Ja Dhe Rusia Kërkojnë Një Hetim Të Plotë Dhe Të Papaanshëm

ROSTOV-MBI-DON (Rusi), 1 qershor /ATSH-AFP/ - Rusia dhe Bashkimi Evropian kërkuan sot një "hetim të plotë dhe të paanshëm" lidhur me sulmin e përgjakshëm të Izraelit ndaj një flotiljeje humanitare rrugës për në Gaza, në një komunikatë të përbashkët të publikuar gjatë një samiti BE-Rusi. "BE-ja dhe Rusia kërkojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm për ngjarjet dhe rrethanat e sulmit", njoftuan delegacionet të mbledhur që dje për një samit në Rostov-mbi-Don, në jugperëndim. Moska dhe Brukseli shtojnë se "shprehin keqardhjen për humbjen e jetës së njerëzve" gjatë operacionit izraelit dhe shprehen për hapjen e një korridori humanitar ndihme për Gazën. "BE-ja dhe Rusia kërkojnë hapjen e menjëhershme të kalimeve për fluksin e ndihmës humanitare dhe personave në hyrje dhe dalje të Gazës", vazhdon dokumenti. Presidenti rus, Dmitri Medvedev i cilësoi "të pariparueshme dhe të pajustifikueshme" humbjet e civilëve duke shtuar se duhet të kryhet një "hetim i plotë dhe i hollësishëm" për ngjarjen në mbyllje të samitit BE-Rusi. Disa komando të marinës izraelite sulmuan dje gjashtë anije që transportonin qindra militantë propalestinezë dhe disa tonë ndihma, të cilët po përpiqeshin të çanin bllokadën izraelite të vendosur në Gaza. Sipas ushtrisë izraelite, nëntë pasagjerë u vranë dhe shtatë ushtarë u plagosën, gjashtë prej të cilëve u shtruan në spital, gjatë dhunës në bordin e tragetit turk Mavi Marmara, më i madhi ndër anijet që transportonin 600 persona. /I.Pu.
KOMENTE