Flotilja - Italia I Kërkon Izraelit Lirimin E Shtetasve Të Huaj Të Arrestuar
ROMË, 1 qershor /ATSH-AFP/ - Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini i kërkoi sot homologut të tij izraelit, Avigdor Lieberman që të mundësojë largimin sa më parë nga Izraeli të aktivistëve të huaj të arrestuar pas sulmit izraelit kundër një flotiljeje perëndimore me ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës.
''Ministri izraelit nga ana tjetër 'informoi homologun e tij italian mbi procedurat në vijim, në Izrael, lidhur me shtetasit e huaj, ndër të cilët janë dhe gjashtë shtetas italianë', të cilët ndodheshin në anijet e flotiljes dhe janë arrestuar nga autoritetet izraelite", njoftoi Ministria e Jashtme italiane, përmes një deklarate për shtyp të publikuar pas një bisede telefonike mes dy ministrave.
"Shefi i diplomacisë izraelite deklaroi se procedurat në zhvillim po hasin disa vështirësi sepse disa prej të arrestuarve refuzojnë të bashkëpunojnë për identifikimin e tyre", sipas deklaratës.
"Ministri italian e nxiti homologun e tij që të mundësojë përfundimin dhe plotësimin sa më parë të këtyre procedurave dhe që shtetasit e huaj të arrestuar të largohen sa më parë nga Izraeli", përfundonte deklarata e ministrisë./
/i.p/ a.jor.