Flotilja - Italia Inkurajon Izraelin Për Një Gjest Zbutjeje
ROMË, 1 qershor /ATSH-AFP/ - Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini e inkurajoi sot Izraelin të bëjë një "gjest zbutjeje" duke "shtuar përpjkjet për paqe" pas sulmit "gravissime" ("shumë të rëndë") kundër flotiljes humanitare propalestineze që po përpiqej të hynte në Gaza.
"Mendoj se në këtë çast Izraeli ka një shans të madh pas gjestit shumë të rëndë. Pas këtij gabimi me të vërtetë të pashpjegueshëm dhe absulutisht të rëndë, ai mund të bëjë një gjest zbutjeje dhe të shprehet: 'le të shtojmë përpjekjet për paqe, të përshpejtojmë bisedimet, të krijohet sa më shpejt një shtet palestinez'", deklaroi Frattini në televizionin publik RAI.
Të paktën nëntë pasagjerë u vranë dje kur disa komando izraelite sulmuan flotiljen ndërkombëtare të militantëve propalestinezë që po drejtohej për në Gaza me ndihmë humanitare.
"Pasojat e sulmit izraelit për fat të keq nuk do të jetë e lehtë të përcaktohen dhe ato nuk do të jenë të lehta. Shpresoj me të vërtetë që samiti i Lidhjes Arabe të mos vendosë ngrirjen e procesit të paqes", shtoi Frattini.
Lidhja Arabe pritet të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme sot për të vendosur lidhur me masat që do të merren pas operacionit izraelit.
/I.Pu.