Gjykata, Dëshmi Tjetër Kundër "Bandës Së Cërrikut"
TIRANË, 1 Qershor/ATSH/- Vijojnë në Gjykatën e Krimeve të Rënda dëshmitë kundër "Bandës së Cërrikut", anëtarët e dyshuar të së cilës akuzohen si autorë të vrasjes me armë zjarri të 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve, në vitin e mbrapshtë '97 në Cërrik.
Dëshmitar në seancën e zhvilluar sot në këtë Gjykatë, ishte ish- punonjësi i Gardës së Republikës, Luan Prenga, i cili solli në kujtesë ngjarjen e rëndë të 23 marsit të vitit 1997 në Cërrik, kur forcat e Gardës së Republikës dhe Policisë u sulmuan papritur me armë zjarri, ndërsa hynin në këtë qytet për të vendosur rendin dhe qetësinë publike.
"U goditëm nga të gjitha anët nga grupe të armatosura", tha ish-gardisti, duke dëshmuar për ngjarjen e rëndë ku humbën jetën 6 kolegë të tij.
Dëshmitari rrefeu para Gjykatës edhe orët e shumta që kishte kaluar si person i marrë peng nga grupet e armatosura pas ngjarjes së Cërrikut. Sikurse pohoi dëshmitari, ai ishte mbajtur për disa orë peng në një banesë në Cerrik nga një nga të pandehurit e procesit për ngjarjen e Cërrikut. Dëshmia e Prengës pason ato të bëra më parë nga ish- gardistë të tjerë. Një seancë më parë, dy ish- punonjësit e Gardës, Pjetër Nikolli dhe Pashk Doda, duke dëshmuar për ngjarjen e rëndë, ku kishin mbetur të plagosur, deklaruan se forcat e rendit kishin rënë në pritë sapo hynë në Cërrik.
Si të pandehur në këtë proces janë shtetasit Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomor Buzani, Bujar Buzani dhe Entel Gashi. Ata akuzohen si autorë të sulmit me armë zjarri ndaj punonjësve të Gardës dhe Policisë së Shtetit më 23 mars të vitit 1997 në Cërrik, me pasojë vdekjen e 6 gardistëve si dhe plagosjen e 9 punonjësve të policisë./a.m/s.s./