Kallamatë, Greqi, 1 Qershor 2010 NOA – Një grua e re shqiptare rrezikon fëmijën e saj pasi u bë prè e një grabitjeje të dhunshme në një qytet të Greqisë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.
Ngjarja ka ndodhur sot kur dy persona që mbeten ende të panjohur, i hynë në shtëpi 29-vjeçares shqiptare shtatzënë në muajin e shtatë dhe e grabitën me dhunë.
Agresorët me thika në duar, e lidhën këmbë e duar 29-vjeçaren dhe nisën të rrëmojnë duke rrëmbyer paratë që 29-vjeçarja kishte në banesë ku ato momente gjendej e vetme.
Pasi morën 200 euro që gjetën, iu sulën në trup duke e goditur me grushte në fytyrë duke i marrë nga duart dy unazat si dhe telefonin celular. Menjëherë më pas, u zhdukën në drejtim të paditur.
Pak minuta më vonë në shtëpi ka mbërritur i shoqi i cili gjeti gruan shtatzënë në gjendje shoku, të lidhur këmbë e duar dhe tejet të tronditur. Gruaja e plagosur u dërgua në spitalin shtetëror të Kallamatës ku mjekët ende nuk janë të sigurt nëse e ka kaluar rrezikun e fëmijës, 29-vjeçarja shtatzënë.
Policia duke folur zyrtarisht për hetimet, tha se ka pak të dhëna për autorët pasi ata ishin të maskuar dhe janë larguar në drejtim të paditur, por po analizohen shenjat e gishtërinjve të gjetur nëpër shtëpi dhe në trupin e 29-vjeçares së dhunuar.
n.s/NOA