Sarajevë, 1 Qershor, NOA – Kryesuesi i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Haris Silajxhiç, tha për BBC-në se njohja e Kosovës nga Bosnja nuk është e mundur për shkak të mënyrës se si funksionon shteti boshnjak.
Pavarësia e Kosovës nuk është diskutuar asnjëherë nga autoritetet e Sarajevës, pasi siç thotë ai, çdo debat për këtë çështje do të ishte i kotë. Silajxhiç ka mirëpritur rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Bosnjën e Hercegovinën dhe Shqipërisë.
Zoti Silajxhiç, shteti juaj dhe Shqipëria do të fitojnë regjimin pa viza sikurse edhe pjesa tjetër e rajonit. Cili është komenti juaj për këtë lajm?
Bosnja e Hercegovina i ka përmbushur kushtet dhe mund të them se në këtë drejtim ka bërë më shumë se sa disa vende anëtare të BE-së. Unë natyrisht i gëzohem faktit që qytetarët e mi nuk do të presin më në radhë para ambasadave, sepse kryesisht bëhet fjalë për njerëz që kanë të ardhura më të vogla dhe për ata është më e vështirë, prandaj pikërisht kjo kategori e njerëzve duhet të përfshihet në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye kjo është shumë e rëndësishme. Ata të cilët kanë të ardhura më të mëdha, gjithsesi kanë viza dhe pasaporta, ndërsa vizat u nevojiten pikërisht atyre që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, të cilët nuk mund të udhëtojnë, kështu që atyre duhet t'u mundësohet që të hyjnë në BE, të udhëtojnë të lirë dhe unë gëzohem që kjo do të ndodhë.
Kur bëhet fjalë për realitetin e Bosnjë-Hercegovinës, ju ende flisni për mosfunksionimin e shtetit boshnjak. Sa paraqet kjo problem për integrimin euro-atlantik të vendit?
Natyrisht që është problem përderisa bllokohen 260 ligje përmes një mekanizmi që quhet votim entitetesh, çështja e vetos është problem. Si rezultat, nuk është respektuar marrëveshja e Dejtonit, njerëzit nuk janë kthyer dhe rrjedhimisht nuk mund t'i kenë përfaqësuesit e tyre për të cilët mund të votojnë ashtu siç e ka parashikuar marrëveshja e Dejtonit, prandaj kjo natyrisht që paraqet një problem. Nuk mund të jemi funksional përderisa një numër kaq i madh ligjesh nuk mund të kalojë. Kemi pritur një vit e gjysmë që t'i votojmë disa ligje të nevojshme për liberalizimin e vizave.
Dhe kush është fajtor për këtë?
Natyrisht përfaqësuesit apo deputetët e Republika Serbskës, të cilët e kanë përdorur veton. është dëshmuar se mund t'i miratonim ato ligje shumë shpejt, por kemi pritur një vit e gjysmë dhe deri tani do të kishim liberalizimin e vizave, por nuk e bëmë këtë. Duhet ta shmangim këtë gjendje, shteti duhet të jetë funksional dhe duhet të miratojë ligje, sidomos tani që do të hapim çështjen e Asquis - legjislacionit të BE-së, i cili kërkon miratimin shumë më të shpejtë të ligjeve se sa e bëjmë ne tani.
Sa mund të ndikojë në përmirësimin e kësaj gjendje përafrimi i marrëdhënieve ndërmjet Sarajevës dhe Beogradit. Ishte paralajmëruar se do ta vizitonit Beogradin, megjithatë kjo nuk u bë?
Nuk është bërë për shkak të defekteve në aeroplanin me të cilin duhet të udhëtoja nga Nju Jorku në Mynih dhe prej aty në Beograd. Më pas e kam kuptuar se edhe sikur të shkoja në Beograd, programi për të cilin ishim pajtuar nuk do të mund të realizohej, për shkak se papritmas u ndalua vizita të burgosurve, ndërsa unë kisha në agjendë vizitën Ilija Jurishiçit, i cili është arrestuar dhe është burgosur i pafajshëm në Beograd dhe i cili po vuan dënimin pa kurrfarë baze. Për këtë arsye, nuk kam shkuar në Beograd dhe natyrisht do të shkoj kur të përmbushen kushtet. E vërteta është që Parlamenti Serb ka miratuar një deklaratë më të cilën dënohet krimet dhe kërkon falje për viktimat që i ka shkaktuar regjimi i Millosheviçit dhe kjo i ka hapur rrugën përmirësimit të marrëdhënieve tona.
Çka do të mund t'u ndihmonte Beogradi për të përmirësuar gjendjen tek ju?
Vullneti i mirë, marrëdhëniet profesionale, pa improvizime, pa subjektivitet, e të cilat janë ende të pranishme me besimin se me atë që quhet politikë e Ballkanit nuk mund të arrihet shumë. Të gjithë e dimë çfarë janë rezultatet. Pra qëllimi i mirë dhe marrëdhëniet korrekte me siguri do t'i kontribuonin marrëdhënieve tona, megjithatë arrestimi dhe dënimi i Ilija Jurishiqit, pastaj doktor Ganiqit, asaj që ka ndodhur në Londër, nuk i kontribuojnë raporteve tona. E dimë se Gjykata e Hagës nuk ka kurrëfarë provash, ndërsa Serbia këmbëngulë në ekstradimin e Ganiqit, Ilija Jurishiqin e ka dënuar shteti, pra të gjitha këto nuk ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve mes nesh, por përkundrazi.
Kur bëhet fjalë për Kosovën, e kam vënë re gjatë intervistave me politikanë këtu se është e vetmja pikë e përbashkët për të cilën të gjithë pajtohen se Bosnja nuk duhet ta njohë?
Ne nuk e kemi pasur kurrë në rendin e ditës njohjen e Kosovës, për shkak se në përbërjen që kemi ne, njohja e Kosovës nuk do të ishte e mundur, prandaj as që e kemi futur në rend të ditës, duke pasur parasysh votimin në Kuvendin e Bosnjës e Hercegovinës. Kjo thjesht nuk do të ishte e mundur, prandaj vendosja në rendin e ditës së çështjes së Kosovës do të nënkuptonte hapjen e një debati pa kurrefarë rezultati.
Shqipëria kohët e fundit ka hapur ambasadën në Sarajevë dhe së shpejti pritet të akreditohet ambasadori. Vlerësimi juaj për marrëdhëniet ndërmjet Bosnjës e Hercegovinës dhe Shqipërisë?
Ato marrëdhënie janë të mira, normale dhe miqësore, natyrisht ne kemi shumë të përbashkëta, jetojmë në të njëjtin rajon dhe sigurisht që marrëdhëniet tona do të avancohen. Në rrafshin ekonomik gjithashtu po ndodhin disa gjëra, po bëhen përparime në raportet tona, megjithatë ne ende duhet të bëjmë shumë pikërisht në përmirësimin e marrëdhënieve institucionale, të cilat nuk janë më të mirat. Ekziston vullneti i mirë, nuk kemi probleme të veçanta, natyrisht gjithnjë ka çështje të hapura, por asnjë nga ato nuk është çështje serioze, prandaj asgjë nuk na pengon në rrugën për përmirësimin e marrëdhënieve, takohemi shpesh në forume botërore të ndryshme dhe ja unë e kam vizituar Shqipërinë.
Dhe së fundi z.Silajxhiç, cili është parashikimi juaj, si do të duket Bosnja e Hercegovina pas zgjedhjeve të tetorit?
Pas zgjedhjeve të tetorit, Bosnja do të jetë në kufijtë e saj, të ngjashme me ato në të cilat është pothuajse që një mijë vjet, ndërsa nuk mund të parashikoj si do të jetë rregullimi i brendshëm, por sido që të jetë ne duhet që në radhë të parë ta respektojmë atë marrëveshje që e kemi për rregullimin e brendshëm, e ajo është marrëveshja e Dejtonit. Sigurisht që do të bëhen disa ndryshime dhe këtë nga ne e kërkon edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, do të ketë edhe disa ndryshime në Kushtetutë, por sa të thella do të jenë ato, do të shohim.
BBC