English

Has: Dogana E Qafë Prushit, Porta Që Ndihmon Në Zbutjen E Varfërisë

HAS, 1 qershor /ATSH-R.Hoxha/ - Dogana e Prushit është mjaft e çmuar për frymëmarrjen ekonomike të rrethit të Hasit, edhe pse është një doganë e nivelit të dytë. Komunikimi me Kosovën mes Qafë Prushit i ofron Hasit atë që i mungon në Shqipëri, tregun e një qyteti të zhvilluar, siç është ai i Gjakovës. "Fluksi i lëvizjes në këtë doganë sa vjen e po rritet, kryesisht nga furgonë të tregtarëve të qytetit të Krumës", thotë drejtori i policisë rajonale të kufirit, Ylber Zyberi. Sipas tij, vetëm gjatë 24 orëve të fundit përmes doganës së Qafë Prushit kanë hyrë e dalë në të dy anët 80 mjete me mbi 360 persona. Afërsia gjeografike dhe përmirësimi i infrastrukturës, zgjerimi dhe asfaltimi i rrugës Krumë-Qafë Prush, kanë ndikuar dukshëm në gjallërinë e komunikimit ndërkufitar. Por edhe çmimet relativisht më të ulëta në tregun e Gjakovën, siç thonë tregëtarët, janë një faktor shtesë. "Qyteti i Krumës është vetëm 26 km nga Gjakova dhe kjo është kjo arsyeja që tregtarët furnizohen kryesisht këtu me mallrat e konsumit të përditshëm," thotë kryetari i Bashkisë së Krumës, Bardhyl Peka. Sipas tij, tregu gjakovar është tashmë furnizuesi kryesor për zonën e Hasit jo vetëm për mallrat e konsumit të përditshëm, por edhe për punësim, pasi janë mbi 170 banorë të Hasit të punësuar në tregun e Gjakovës, kryesisht në ndërtim e bujqësi. "Çdo ditë e bëjmë këtë rrugë, pasi edhe pagesa për një ditë pune është shumë më e lartë se në Krumë", thotë Besnik Dida, një prej punëtorëve të shumtë në ndërtim nga Hasi. Në qendër të Gjakovës është një vend, ku çdo mëngjes tregtarët, apo firmat private gjejnë punëtorë hasjanë. "Tregu i punëtorëve" quhet dhe e njohin të gjithë biznesmenët gjakovarë, që kërkojnë punëtorë me çmim relativisht të ulët, 10 - 12 euro në ditë. Punëtorët dhe tregëtarët janë kryesisht njerëzit që lëvizin më shumë në të dy anët e kufirit në doganën e Qafë Prushit./ch/
KOMENTE