English

I dënuari për vrasje që u kap në spital lirohet pasi gjykata i kishte dhënë pafajësi

Gjirokastër, 1 Qershor 2010 NOA – Policia e Gjirokastrës vendosi pasditen e sotme të lirojë në mënyrë të menjëhershme, 21-vjeçarin Klejvis Qepa që ju shihni dhe në foto, pasi Gjykata e Lartë e Tiranës, ka vendosur prishjen e vendimit penal nr 109, datë 17 qershor 2009, dhe ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e ka deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzën e vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje.

Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës e cila duke folur mbi arrestimin e të riut Klejvis Qepa, i cili figuronte i dënuar dhe person i shpallur në kërkim, tha se pikërisht për këtë arsye është ndaluar disa orë më parë nga forcat e policisë lokale, duke zbatuar urdhrin e ekzekutimit të Prokurorit.

“Më datën 01.06.2010, rreth orës 16.30, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka ardhur urdhri për lirimin e menjëhershëm të shtetasit Klejdis Qepa, pasi Gjykata e Lartë Tiranë, me vendin nr 399, datë 28.04.2010, ka vendosur prishjen e vendimit penal nr 109, datë 17.06.2009, dhe ka lënë në fuqi vendimin nr 141, datë 06.06.2008, të Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e ka deklaruar të pafajshëm këtë shtetas në lidhje me akuzën e vrasjes dhe të armëmbajtjes pa leje”, - deklaroi zyrtarisht policia.

Për këtë rreth orës 17.00, 21-vjeçari Klejvis Qepa, është liruar menjëherë nga dhomat e paraburgimit.

v.d/r.n/NOA - Foto të tjera, te Galeria

KOMENTE