English

Ish-presidenti Alia: Nuk e dëgjoj Berishën, punon fort për t’i përçarë njerëzit

Tiranë, 1 Qershor, NOA Update – “Kam një të keqe të madhe: Unë nuk e dëgjoj Berishën”, i është përgjigjur ish-presidenti Ramiz Alia, pyetjes së gazetarëve sesi i komenton ai deklaratat e bëra nga kryeministri Berisha për zbardhjen e masakrës së Tivarit, duke e akuzuar direkt për pjesëmarrje në gjenocid.

“Tivari është në Mal të Zi dhe ka ndodhur pas vitit 1945. Ne kemi qenë në Bosnjë kur ka bërë vaki kjo gjë. Është vërtet një ngjarje e rëndë për kosovarët dhe le të përgjigjen vetë kosovarët apo më mirë serbët që e organizuan atë”, shtoi ai lidhur me këtë ngjarje.

Duke iu referuar gazetarëve se bëjnë mirë të lexojnë Enver Hoxhën për të kuptuar se çfarë ka ndodhur vërtet në këtë masakër.

“Berisha ka një qëllim të caktuar që e hap këtë çështje dhe që nuk lidhet fare me këtë problem”, tha më tej ai.

Gjatë fjalës që mbajti në promovimin e librit të tij “Jeta Ime”, ish-presidenti i kohës së socializmit, shtoi gjithashtu se “sundimtarët berishianë janë një pengesë e vërtetë për vendin tonë”, e duke pohuar se sot kemi të bëjnë me një nihilizëm të dukshëm kudo.

“Ajo që është shqetësuese është përpjekja për t’i përçarë njerëzit”, vuri në dukje ai, duke mos lënë pa përmendur edhe grevën e urisë së socialistëve, për të cilën tha se nuk e ka pritur mirë reagimin kundërshtues të saj prej disa intelektualëve.

Ndërsa lidhur me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe konkretisht, atë të liberalizimit të vizave, Alia ka thënë shprehimisht se “Ne me Evropën kemi qenë dhe me Evropën jemi”.

***

Ish-Presidenti i Republikës e konsideroi si akuzë që nuk ka asnjë nevojë për koment, atë të kryeministrit dje se Ramiz Alia duhet të përgjigjet për Masakrën e Tivarit. Në një prononcim që i dha mbrëmjen e djeshme, agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA, z. Alia ishte i prerë në përgjigjen e pyetjes se si e komentonte ai akuzën dhe kërkesën e z.Berisha për ta hetuar lidhur me masakrën e Tivarit: “Unë nuk kam asnjë qëndrim, sepse unë nuk mund të mbaj qëndrim për budallallëqe”, - ishte komenti i z.Alia.

Duke folur me agjencinë NOA lidhur me deklaratën e z.Berisha se ish-Presidenti Alia është një nga njerëzit që ka punuar fort kundër elitës së kombit dhe ka dhënë dënime ndaj tyre, z.Alia ishte sërish i prerë në përgjigje: “Fjalë, shumë fjalë, z.Berisha ka shumë fjalë, ai i di të gjitha”, - ironizoi ish-Presidenti i Republikës.

r.n/NOA

KOMENTE