Tiranë, 1 Qershor, NOA /Milena Selimi - Prej një muaji është parë në mjediset e TK-së regjisori amerikan Clarence Gilyard, i cili po punon për shfaqjen "Koleksioni i përhershëm", shkruar më 2005-ën nga Thomas Gibbons, një dramaturg rezident në Interact Theatre në Filadelfia.
Në fokus të "Koleksionit të përhershëm" është sjellja brutale e njerëzve kundrejt të ndryshmëve të tyre dhe drama e atyre që nëpërkëmben.
Drama e Thomas Gibbonsit “Koleksioni i Përhershëm” ka si objekt artin. Është forca dhe roli që luan arti në zhvillimin e një shoqërie të shëndoshë. Gjatë 90 minutave që publiku është i mbërthyer në dramë, aty trajtohen çështje dhe probleme që lidhen me shoqërinë, pushtetin, vlerat, integritetin dhe frikën. Në skenë na jepen imazhe të veprimeve në muzetë e vizituara nga qindra njerëz nga të gjithë sferat e jetës që shprehin opinione të menjëhershme e të ndryshme ose të panjohura për ta, ose për njerëzit e tjerë në kohëra të ndryshme. Këto opinione herë janë të shprehura e herë jo...
Kjo dramë përdor këto imazhe që janë kaq të njohura për ne që të na tërheqë, të na i bëjë më të këndshëm një nga demonët më të këqij të qenies njerëzore. Që të jemi vigjilentë dhe të gatshëm për ta larguar shpirtin e keq të quajtur racizëm dhe që ne e dimë që nuk ka të bëjë vetëm me ngjyrën e zezë dhe të bardhë.
Clarence Gilyard, aktor, regjisor dhe pedagog në Universitetin e Nevadës në Las Vegas, i ka të njohura sjelljet raciste në Amerikë.
Ende sot e identifikojnë si aktor në me dy filmat aksion televizivë: "Texas Rangers" dhe "Matlock". Karriera e tij përfshin role në teatër dhe kinema.
"Koleksioni i përhershëm" do të shfaqet më 2 dhe 3 qershor.
Në këtë dramë, do të interpretojnë aktorët: Mirush Kabashi, Tinka Kurti, Fatos Sela, Ema Andrea dhe Esmeralda Metka dhe vetë regjisori Gilyard, ndërsa vepra është shqipëruar nga Pirro Dollani.
m.s/n.e/NOA