English

Kontrabandohen 800 kg fruta në Kapshticë, pranga doganierit

Kapshticë, 1 Qershor, NOA – Shmangia e kontrollit doganor në pikën kufitare të Kapshticës e një sasie prej 800 kg frutash që po kalonin nga një firmë eksporti, i ka kushtuar një doganieri prangat e policisë.

Fjala është për doganierin me emrin Artur Kreka, 49-vjeç, banues në Korçë, i cili është ndaluar prej forcave kufitare për veprën penale të “Kontrabandës nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” dhe “Korrupsion pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 175 dhe 259 të Kodit Penal.

Kjo pasi në dalje të traut në pikën e Kapshticës, ai lejoi daljen e një mjeti me targë KO9997A i cili transportonte fruta për llogari të firmës “Vasport Import-Eksport”, duke patur brenda saktësisht 800 kg të tilla të padeklaruara në doganë.

Ndërkaq, bëhet me dijeni se drejtues i mjetit ishte Thanas Turtulli, 37-vjeç, banues në Pogradec, ndërsa shoqërues i mallit ishte Refat Ogranaj, 58-vjeç, banues në Korçë.

Edhe këta të dy janë vënë në pranga nga forcat policore, për ushtrim të veprave penale të “Kontrabandës me mallrat e tjerë” parashikuar nga neni 174 dhe 25 i Kodit Penal, sikundër policia ndaloi edhe administratorin e firmës, 34-vjeçarin Aurel Cyfeku.

n.e/NOA

KOMENTE