Kosove - Femijet Festojne Me Ngjyrat E Kombit Dhe Te Evropes
PRISHTINË, 1 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Fëmijët e Kosovës me veshje të traditës kombëtare dhe me ngjyrat e flamurit kombëtar, të flamurit të Evropës dhe të Republikës së Kosovës, festuan sot 1 Qershorin, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve me mesazhe për të ardhmen evropiane, jetë më të mirë dhe të gëzueshme për të gjithë fëmijët e vendit.
Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, përcolli mesazhe gjatë vizitës në shkollën fillore "Naim Frashëri" të fshatit Breznicë, komuna e Kastriotit, ku festoi bashkë me fëmijtë shkollarë.
Presidenti kërkoi nga institucionet e vendit përkushtim më të madh për të investuar në arsimimin e fëmijëve të Kosovës, për përmirësimin e kushteve dhe infrastrukturës shkollore dhe pajisjen e shkollave me teknologji të avancuar, ndërsa u bëri thirrje arsimtarëve që të kenë bashkëpunim të vazhdueshëm me prindërit, që suksesi i nxënësve të jetë sa më i lartë.
Në Prishtinë sot ishte ambasadorja e vullnetit të mirë e UNICEF-it, Alyssa Milano, e cila bëri thirrje për veprime në zbutje të varfërisë së fëmijëve në Kosovë.
Raporti "Varfëria e fëmijëve në Kosovë", i lansuar sot nga UNICEF-i, në një forum organizuar në Prishtinë, synon që të vendosë çështjen e varfërisë së fëmijëve në fokus të axhendës zhvillimore të Republikës së Kosovës dhe të nxisë të gjithë partnerët në mbështetjen e tyre në reduktimin e varfërisë së fëmijëve.
Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith tha se "të drejtat e fëmijëve zënë një vend të posaçëm në politikat e BE-së dhe ne presim që Kosova të zotohet se do t'i realizojë këto të drejta për fëmijët në përputhje me ambiciet e saj evropiane, sidomos për faktin se Kosova është një shoqëri shumë e re dhe ka nevojë të mbështetet në fëmijët e saj për mirëqenien dhe zhvillimin në të ardhmen."
Ndërsa në ambientet e Kuvendit të Kosovës, deputetë, përfaqësues të disa komisioneve, kanë pritur një grup fëmijësh me nevoja të veçanta nga komunat e Mitrovicës, Ferizajt, Podujevës dhe Prishtinës. /a.ke/