English

Kosove/ Kuci: Ne Konferencen E Sarajeves Pritet Te Shprehet Vullnet Me I Madh Per Bashkepunimin Rajonal

PRISHTINË, 1 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha sot se në Konferencën BE-Ballkani Perëndimor, që nis nesër më 2 qershor në Sarajevë, pritet që të shprehet një vullnet më i madh për bashkëpunim rajonal. "Kosova do ta tregojë një vullnet të tillë, por besoj se do të ketë një presion pozitiv të kryesuesve të Unionit Evropian dhe të shteteve të tjera edhe mbi Beogradin, në mënyrë që të tregojë vullnet për bashkëpunim rajonal dhe për mosndërhyrje në punët e brendshme të Republikës së Kosovës, në veçanti në komunat veriore", theksoi zëvendëskryeministri Kuçi. Në mbledhjen e Komisionit për Integrime Evropiane të Kuvendit të Kosovës, Kuçi prezantoi qëndrimin e Qeverisë së Kosovës rreth pikave që do të diskutohen në Konferencën e Sarajevës. Ai tha se në Sarajevë do të prezantohen arritjet e Kosovës nga përfaqësuesi i vendit në konferencë, ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni. "Ministri Hyseni do të flasë për arritjet tona në fushën e Raportit të Progresit dhe do të shprehë vullnetin, gatishmërinë, por edhe kërkesat që të marrim sa më shpejt udhëzuesin për liberalizimn e vizave dhe të jemi të përgjegjshëm në procesin e marrëveshjes tregtare me BE-në", tha Kuçi, cituar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Kosovës. "Pritjet tona janë racionale dhe besoj se do të ketë një orientim shumë më të qartë për Kosovën dhe rajonin", theksoi zëvendëskryeministri Kuçi. /a.ke/
KOMENTE